FMN: Futja e bizneseve të vogla në TVSH nuk solli rritje të të ardhurave

schedule17:19 - 3 Prill, 2019

schedule 17:19 - 3 Prill, 2019

Një raport  i Fondit Monetar Ndërkombëtar vëren se përfshirja në skemën e tvsh-së së biznesit të vogël nuk ka sjellë rezultat në rritjen e të ardhurave në buxhet. Megjithatë, FMN thotë se gjatë dy viteve të fundit shumë reforma në administratën tatimore kanë ecur përpara, por konsideron kthim në kohë vonesat për rimbursimin e tvsh-së për bizneset.

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshirja e 13 mijë bizneseve të vogla në zinxhirin e tatimit mbi vlerën e shtuar, ka dhënë impakt të ulët në rritjen e të ardhurave tatimore. FMN ka bërë një analizë të sistemit të administrimit tatimor në Shqipëri, në bazë të një projekti që kishte me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e asistencës teknike në këtë fushë. Raporti thotë se përfshirja e biznesit të vogël në këtë skemë ka sjellë efekt negativ në punën e administratës tatimore, pasi kosto e kontrollit të bizneseve është më e lartë se të ardhurat që janë arkëtuar në buxhet.

“Zgjerimi i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në kostot e punës së administratës tatimore, pa patur një efekt të konsiderueshëm në mbledhjen e të ardhurave”.

FMN veçon po ashtu faktin e problematikës së rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, i cili në tetor të 2018-s arriti në 144 milion dollarë, nga ku rezulton se shumica e kompanive që nuk kanë marrë në kohë tvsh-në, janë eksportuese.

 “Si në rastin që autoritetet tatimore kërkojnë pagesën në kohë të taksave, edhe rikthimi i taksës nga shteti për biznesin duhet të jetë në kohë”.

Fondi nuk bie dakord as me politikat fiskale përjashtuese nga sistemi tatimor, siç është përjashtimi nga tvsh për sektorin e turizmit apo ulja e tatimit mbi fitimin për disa kategori biznesesh.

 “Disa nga këto ndryshime mund të komplikojnë regjimin tatimor dhe të hapin mundësinë për shmangien e taksave”.

Borxhi që bizneset i kanë administratës tatimore në shtator të 2018-ës arriti në 1 miliard dollarë, ku më shumë se gjysma e tij zotërohet nga firma të mbyllura. FMN shprehet në raport se administrata tatimore ka bërë punë të mirë në zhvillimin e sistemeve informatike duke u bërë më e aksesueshme për bizneset dhe duke eliminuar korrupsionin. Por po ashtu rekomandon që të ndërtojë një strategji për të eliminuar korrupsionin e inspektorëve si dhe të rikthejë në administrimin e Tatimeve strukturën e apelimit të vendimeve të biznesit./abcnews.al