Fluturimet në kolaps: Punonjësit e Lufthansa-s futen në grevë, kërkojnë një rritje të pagave me 9.5%

schedule10:50 - 27 Korrik, 2022

schedule 10:50 - 27 Korrik, 2022

Punonjësit e kompanisë ajrore më të madhe gjermane, Lufthansa, sot kanë hyrë në një grevë paralajmëruese 24-orëshe dhe, siç raportojnë mediat gjermane, rreth një mijë fluturime nuk do të kryhen ndërsa do të preken 134 mijë pasagjerë.

Sindikata Verdi u ka bërë thirrje 20,000 anëtarëve të stafit tokësor të Lufthansa-s të futen në grevë, duke kërkuar një rritje të pagave prej 9.5% gjatë 12 muajve të ardhshëm. Siç raporton gazeta gjermane “Bild”, për shkak të grevës, kompania anuloi pothuajse të gjitha fluturimet e saj drejt Frankfurtit dhe Mynihut.

Greva e shpallur nga sindikata filloi nga ora 05:45 e mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 08:00 të së enjtes për të “rritur presionin mbi menaxhmentin”.

Sipas sindikatës, greva do të përfshijë stafin tokësor, kryesisht shërbimet e mirëmbajtjes, por edhe operatorët e mjeteve tërheqëse të avionëve, të cilët janë thelbësorë për funksionimin normal të aeroportit. Kështu, Lufthansa do të duhet të anulojë gjithsej 678 fluturime për në Frankfurt dhe 345 për në Mynih, dy qendrat kryesore në Gjermani.

“Ndikimi i grevës mund të çojë në anulime dhe vonesa të enjten dhe të premten,” tha kompania.

Përfaqësuesit e sindikatës theksojnë se situata për punonjësit e aeroportit është përkeqësuar për shkak të mungesës së konsiderueshme të stafit , inflacionit të lartë dhe uljes së pagave për tre vjet.

Kujtohet se “Lufthansa” ka anuluar gati 6 mijë fluturime vetëm për muajin korrik dhe gusht pasi nuk ka staf të mjaftueshëm për t’i shërbyer publikut të pasagjerëve. Aeroportet gjermane, si ato në vendet e tjera evropiane, kanë qenë në kaos javët e fundit për shkak të mungesës së stafit pas mijëra pushimeve nga puna dhe shkurtimeve gjatë pandemisë Covid-19. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!