Gjatë sezonit veror, në dy anët e pikës së kalimit kufitar të Muriqanin në Shkodër, lëvizja e mjeteve është vështirësuar. Fluksi i lartë i udhëtarëve shkakton rradhë të gjata deri në dy km.
Të udhëtosh për në Muriqan në drejtim të Malit të Zi gati është e pamundur. Trafiku është i rënduar gjatë gjithë ditës. Sapo afrohesh disa kilometra pranë pikës së kalimit kufitar, rradha e mjeteve që presin të kalojnë doganën shkon dy km. Gazetari i ABC News Simon Shkreli, ndodhej në Muriqanm disa kilometra larg pikës kufitare Muriqan-Sukubinë. Nga pamjet viheshin re rradhët e tejzagjatura që sa vinin edhe shtoheshin. Shqetësuese ishin edhe parakalimet e mjeteve të ndryshme, të cilët tentojnë të futen jashtë rradhës, për të arritur tek pika e kalimit kufitar të Muriqanit. Pushues nga Kosova por edhe emigrantë që kthehen pas pushimeve janë pjesa më e madhe e udhëtarëve. Ata thonë se po aq sa shqetësuese është rruga nga Tirana deri në Shkodër është dhe kjo pikë kalimi kufitar.
Pushuesi 1: “Më shumë pat kolonë përpara se sa këtu në kufi.”
Pushuesi 2: “Kështu s’ka bërë vaki si sot.”
Nga ana tjetër, banorët e zonës e kanë më të vështirë. Ata presin në rradhë me orë për të mbërritur tek shtëpia e tyre.
Banori 1: “Me pas zor me shku në shtëpinë tënde.”
Banori 2: “Ka 4 ditë që nuk pushon ditë e natë. Unë du me shku tashti, me kundravajtje të gjobit polici këtu do rrij edhe një orë. Gjyshin pasagjer e kam pak sëmurë.”
Segmenti rrugor Shkodër-Muriqan nuk e përballon më fluskin e lartë të automjeteve që qarkullojnë, sidomos gjatë sezonit veror. Rruga me vetëm dy korsi, e cila kalon përmes fshatrave të zonës Ana e Malit, ç’ka ka sjellë edhe vështirësi në të përditshmen e banorëve./abcnews.al