Një radhë e gjatë automjetesh është krijuar në orët e para të mëngjesit në doganën e Kapshticës. Qytetarët janë detyruar të presin për disa orë për të kryer procedurat. Udhëtarët bëjnë përgjegjëse për vonesat Policinë Kufitare për kontrollet e shtuara në kufi.
Lëvizjet e qytetarëve drejt Greqisë si dhe kthimi i emigrantëve në atdhe nga pika doganore e Kapshticës, po shoqërohet me pritje disa orëshe dhe vonesa. Dhjetëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në doganën tonë, deri në 4 orë, pa mundur të kryejneë procedurat e kalimit drejt shtetit grek.
Ata që presin më tepër janë pasagjerët e autobusëve të linjave me Greqinë. Qytetarët ankohen për vonesat, të cilat sipas tyre vijnë si rezultat i shtimit të kontrolleve nga ana e policisë kufitare.
“Katër orë. Ka radhë autobusi, do bëjnë skaner, me vonesa çdo herë”.
“Punojnë me ngadalë, bëjnë skaner. Kaq dimë ne si popull”.
“Të mërzitshëm domethënë. Çdo radhë që kalojmë se ne kalojmë shpesh se jemi me dokumente të rregullta dhe kalojmë çdo 2-3 muaj, e njëjta gjë ndodh, asnjë përmirësim nuk ka”.
Burime nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, thanë për Abc News, se rritja e fluksit të lëvizjeve në të dyja anët e kufirit, ka shtuar masat e policisë, për të parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike, apo sendeve të ndaluara.
Kontrolle të imtësishme ushtrohen në mjete dhe bagazhe, me qen antidrogë, ose duke i kaluar në skaner. Gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë nga Kapshtica rreth 4800 qytetarë dhe kanë udhëtuar drejt Greqisë 2800 persona./abcnews.al