Një flotilje ndërkombëtare me ndihma humanitare për Gazën ndodhet aktualisht rreth 130 milje detare larg brigjeve palestineze. Aktivisti italian Maso Notarianni, i cili ndodhet në bordin e anijes Karma, pjesë e Flotiljes Global Sumud, deklaroi se misioni i tyre ka gjasa të ndalet para se të mbërrijë në destinacion.
“Jemi rreth 130 milje detare larg Gazës, pak më pak. Nuk do të arrijmë në Gaza, natyrisht jemi të bindur se do të na ndalojnë para se të mbërrijmë. Pastaj, nëse ndodh një mrekulli, do të mbërrijmë nesër pasdite, ose më vonë.”, tha Notarianni në një lidhje të drejtpërdrejtë me RaiNews24.
Ai theksoi se ndalimi i mundshëm i flotiljes nuk do të ishte arrestim, por “rrëmbim”, pasi anijet ndodhen në ujëra ndërkombëtare, jashtë juridiksionit të Izraelit apo të ndonjë shteti tjetër: “Rrezik arrestimi? Nuk do të quhej arrestim, por rrëmbim, sepse ndodhemi në ujëra ndërkombëtare.”
Notarianni raportoi gjithashtu për incidente serioze gjatë natës, përfshirë një ndërhyrje teknologjike.
“Kemi pasur një bllokim të komunikimeve (jamming) për më shumë se gjysmë ore. Disa anije të paidentifikuara rrethuan anijen ‘mëmë’ të flotiljes, Alma, para agimit, por nuk kanë kryer ende ndonjë sulm për bordim,” deklaroi ai.
Sipas Notariannit, ata qëndruan të ndaluar për rreth një orë gjatë interceptimeve, por shtoi se “tani kemi rifilluar lëvizjen”.
Flotilja Global Sumud përbëhet nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, aktivistë ndërkombëtarë dhe mban ndihma për popullatën civile të Gazës, e cila po përballet me një krizë të thellë humanitare për shkak të konfliktit të zgjatur me Izraelin./abcnews.al


