Departamenti i Shëndetësisë në Florida ka vendosur një zyrtar të lartë në leje administrative pasi ai kritikoi stafin për shkallën e tyre të vaksinimit. Në një email më 4 janar, Doktor Raul Pino i quajti anëtarët e stafit të pavaksinuar “të papërgjegjshëm” dhe shkroi “ne nuk jemi as në 50% dhe kjo është patetike”. Legjislacioni i miratuar në Florida në fund të vitit të kaluar i ndalon punëdhënësit publikë dhe privatë të detyrojnë vaksinimin.
Departamenti i Shëndetësisë konfirmoi të mërkurën se veprimet e mjekut po hetoheshin. “Meqenëse vendimi për t’u vaksinuar është një zgjedhje personale mjekësore që duhet bërë pa detyrime dhe mandate nga punëdhënësit, punonjësi në fjalë është vendosur në leje administrative dhe Departamenti i Shëndetësisë në Florida po kryen një hetim për të përcaktuar nëse ka ndonjë ligj që është thyer në këtë rast”, tha një zëdhënës në një deklaratë për “BBC”.
Sipas mediave lokale, Doktor Pino u shkroi punonjësve se, nga 568 punonjës të Departamentit të Shëndetësisë , më pak se 40% kishin marrë dy doza dhe vetëm 77 kishin marrë dozën përforcuese. Doktor Pino një epidemiolog, i cili iu bashkua Departamenti të Shëndetësisë në Florida në vitin 2019 ka udhëhequr përgjigjen pandemike për rajonin e Orange County në Floridën qendrore. Gjatë dy viteve të fundit, ish-refugjati kuban u bë pjesëmarrës i rregullt në konferencat e shtypit Covid-19 me kryetarin e bashkisë në Orlando të rënduar nga turistët, duke u kërkuar banorëve në anglisht dhe spanjisht të qëndrojnë të mbrojtur.
Por Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i cili thuhet se po shikon një kandidim për nominimin presidencial republikan në 2024, ka kundërshtuar ashpër përpjekjet për të mandatuar vaksinat dhe e ka quajtur marrjen e vaksinës një zgjedhje private. Shteti ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve në vend, me më shumë se 63,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë, por renditet i 18-ti në vdekje për frymë, sipas analizës nga Statista.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 64% e popullsisë së shtetit ka marrë të dyja dozat. / abcnews.al