Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis nënshkroi një ligj që ndalon fëmijët nën 14 vjeç të krijojnë një profil në platformat sociale, madje duke fshirë ato ekzistuese. Të miturit midis moshës 14 dhe 16 vjeç do të mund të hapin llogari në rrjete sociale vetëm me miratimin e prindërve të tyre.
Masa kërkon që platformat të mbyllin llogaritë e personave nën 14 vjeç dhe nën 16 vjeç që nuk kanë pëlqimin prindëror. Kërkon që të përdorin një sistem verifikimi të palëve të treta për të kontrolluar të miturit. Përveç kufizimit të llogarive, legjislacioni vendos kufizime edhe në faqet pornografike.
Megjithatë, platformat e përdorura për email, mesazhe, transmetim të përmbajtjes multimediale, lajme të shtypit si dhe argëtim, blerje në internet dhe video lojëra janë të përjashtuara. Me miratimin e këtij ligji, Florida i shtohet listës së shteteve amerikane që u kanë kufizuar të miturve aksesin në rrjete sociale.