Florentino Perez mund të shkarkojë trajnerin Zidane, Murinjo në pritje

schedule19:10 - 29 Korrik, 2019

schedule 19:10 - 29 Korrik, 2019

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez mund të shkarkojë nga posti i trajnerit Zinedine Zidane. Numri një i klubit spanjoll kërkon të rikthejë Zhose Murinjon.

Real Madrid ka shpenzuar shuma të majme në këte merkato verore. Presidenti Florentino Perez i ka vendosur në dispozicion trajnerit Zidane futbollistë tepër cilësorë, ku synimi kryesor për sezonin e ardhshëm është të fitojnë titullin e La Ligas. Në një klub si Real Madridi presioni është gjithmonë prezent. Spanjollët kanë dështuar në testet miqësore gjatë përgatitjeve para sezonale, ndërkohë që humbja 7-3 përballë Atletiko Madrid ka trazuar ujërat në skuadrën madrilene. Mediat në Spanjë aludojnë për një largim të mundshëm të teknikut Zinedine Zidane dhe rikthimin në “Santiago Bernabeu” të Jose Murinjo. Portugezi është aktualisht pa kontrate dhe mund të pranonte lehtësisht të merrte drejtimin e Real Madrid. Perez nuk e ka mohuar asnjëherë admirimin për Murinjon, i cili drejtoi për tre sezone skuadrën e Real Madrid. Stoli i Zidanë është lëkundur dhe këtë e konfirmon edhe lëvizja e presidentit Perez. Numri një i skuadrës madrilene ka vendosur që të mbajë në skuadër James Rodriguez dhe Gareth Bale, dy futbollistë të cilët nuk e kanë pëlqimin e trajnerit Zidane. Një tjetër sinjal nga bordi drejtues është edhe ndërprerja e negociatave me Manchester United për transferimin e mesfushorit Pol Pogba. Francezi është futbollisti që kërkohet me ngulm nga trajneri Zidane, ndërkohë që tekniku Murinjo ka prishur të gjitha raportet me 26 vjeçarin. Vendimtare për të ardhmen e trajnerit Zinedine Zidane do të jetë fillimi i edicionit të ri. Rikthimi i francezit në Spanjë aktualisht cilësohet i pasuksesshëm, por rezultat në ndeshjet zyrtare do të tregojnë në të vërtetë punën e trajnerit që ka shkruar historinë me Real Madrid. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!