Në Parkun Olimpik në Tiranë ka nisur procesi i vulosjes së fletëve të votimit për diasporën, të cilët në 11 maj, do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka ngritur 12 grupe pune për paketimin e zarfeve A, që përmbajne fletët e votimit, të cilat do të mbyllen me vula unike për secilin qark. Ky proces parashikohet të mbyllet deri të premten në mesnatë, për të vijuar më tej me futjen e tyre në zarfin B, që është i personalizuar për cdo votues dhe tregon shtetin ku jeton dhe qarkun se ku vjen vota.
Dërgimi i fletëve të votimit në diasporë parashikohet të nisë në fund të kësaj jave në mënyrë që zarfet të mbërrijnë tek zgjedhësit brenda datës 22 prill për Europën dhe 25 prill për kontinentet e tjera.
Për të shmangur çdo vonesë në kthimin e zarfit në Shqipëri, votuesit kanë tre ditë kohë për të plotësuar fletët e votimit. Por si veprohet me pas?
Në momentin që votuesit kanë bërë zgjedhjen e tyre do duhet që zarfi A me fletën e votimit të vendoset në zarfin B. Pakoja zgjedhore nuk duhet të dorëzohet në postë. Nëpërmjet numëratorit të dhënë nga kqz votuesi dhe korrieri dakortësojnë një orar dhe fleta e votimit dorëzohet personalisht tek ai.