Flet mjeku që zbuloi pacientin zero në Shqipëri: Frika ime dhe përballja me familjen e të infektuarit

schedule20:27 - 9 Mars, 2021

schedule 20:27 - 9 Mars, 2021

Sot, një vit më pas duket normalitet të dëgjosh shifra infektimi me Covid-19 mbi 1000 në ditë në Shqipëri, por para një viti, lajmi për infektimin e pacientit të parë brenda kufijve tanë, shkaktoi frikë dhe pasiguri.

Frika do të pasohej shpejt me llahtarinë që përcillej ekraneve nga kryeministri e Komiteti i tij i Ekspertëve. Më datën 9 mars 2020, pacienti zero u konsiderua një djalë 28 vjeçar,i cili kishte udhëtuar nga Italia drejt Shqipërisë dhe kishte shfaqur shenjat e Covid-19. Bashkë me të, shfaqi shenjat e infektimit edhe i ati.

Mjeku Rexhep Muja, identifikoi pacientin zero, ndërsa rasti ishte raportuar nga mjeku i familjes.

“Ne nisëm bisedën për këtë rast. Për të zbuluar edhe zinxhirin e transmetimit. Arritën të kuptojmë që ky ishte një rast i dyshuar dhe ishte i mundshëm. Kishte kontakte shumë në Firence dhe kishte ardhur në Shqipëri në rrugë tokësore”, thotë Muja për emisionin “Vetting”.

Mjekët nuk e dinin çfarë fshihte ky virus… e gjithë bota ishte thuajse e papërgatitur për këtë situatë. Padyshim, frika dhe pasiguria do të mbërthenin pikës pari bluzat e bardha.

Doktor Muja tregon ndjesitë e fillimit të pandemicë dhe frikën e kontaktit të parë me një person të infektuar me Covid.

“Ishte vështirë, por me këmbëngulje arritëm. Testuam fillimisht rastin zero dhe prindërit. Pastaj morëm të gjitha kontaktet e mundshme, lidhjet miqësore të ngushta si familje fisnike që ishte. Duhet të ruaja veten dhe familjes. Pas konfirmimit të rastit zero kam qëndruar dy orë pa hyrë në Shqipëri”, rrëfen mjeku.

Përveç frikës që ishte krejt e zakontë në të gjithë botën, për pacientin zero ishte edhe presioni stigmatizues ndaj njeriut që solli i pari këtë virus në Shqipëri.

“Në momentin që kam hyrë në familjen e tyre duke i qetësuar edhe familjarët”, thekson mjeku.

Gjatë ditëve që pasuan, rastet nisën të shtoheshin me ritme relativisht të ulëta, por u shënua ndërkohë edhe viktima e pare, një e moshuar nga Durrësi.

Më pas një tjetër i moshuar dhe një tjetër… e megjithatë shifrat ishin të ulëta në raport me atë çfarë po ndodhte në Itali prej nga çdo ditë vinin shifra të frikshme të fataliteteve.

Bashkë me rritjen e numrit të infektimeve, rritej edhe tensioni që përcillej nga kryeministria përmes thirrjeve për të respektuar masat për parandalimin e pandemicë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!