Flasin të arrestuari brenda Selisë së PD: U futa nën tryezë, dola kur erdhi policia. Vuaj nga zemra, nuk kemi dhunuar

schedule13:15 - 12 Janar, 2022

schedule 13:15 - 12 Janar, 2022

Teksa sot mbahet seanca për 34 të arrestuarit e protestës së 8 janarit, së fundmi janë zbardhur edhe dëshmitë e disa personave që ishin brenda selisë së PD-së, të cilët gjithashtu u ndaluan për akte dhune. Të arrestuarit që ishin brenda selisë së PD-së, mohojnë të kenë përdorur dhunë dhe nuk janë përfshirë në akte të kundërligjshme.

Konkretisht i arrestuari Armando Alldervishi shprehet se sulmet e vetme kanë ardhur nga jashtë selisë dhe se vetë nuk ka kryer asnjë akt dhune. Megjithëse dyshohet si personi i cili hodhi bidona plastik me ujë mbi protestuesit e tjerë, ai ka mohuar këto akuza.

I arrestuari tjetër, Oltion Zenelaj është shprehur se ka qenë në katin e dytë të selisë së PD-së. Ai pretendon që nuk kishte marrë pjesë në veprime të kundërligjshme.

Albi Peti dëshmon se kur ka dalë disa orë më vonë për të lëvizur makinën në oborrin e PD-së është shoqëruar nga forcat policore por nuk është përfshirë në akte dhune.

Arian Mezini shprehet para hetuesve se ka qenë në godinën e PD-së, tek salla e mbledhjes në pritje të nisjes së mbledhjes kur befas kanë ndjerë gurë që vinin nga jashtë, i tmerruar është futur nën tryezë. Sipas tij në këto momente filloi të vinte era gaz, por ai nuk guxonte të lëvizte sepse kishte frikë, ndërsa dëgjonte thyerjen e xhamave. Mezini shprehet se nuk ka dal nga aty derisa ka dëgjuar ardhjen e policisë. Ai pretendon që nuk kishte marrë pjesë në veprime të kundërligjshme.

Një tjetër i arrestuar nga brenda selisë së PD-së, është edhe Stivi Luku. Ky i fundit shpjegon se ka ardhur në selinë e PD më 08:30, me Luan Hotin dhe Orion Metën. Ka qenë në godinën e PD-së, në pritje të nisjes së mbledhjes kur kanë dëgjuar zhurma që vinin nga jashtë. Ka zbritur dhe ka parë që hyrja kryesore po sulmohej nga jashtë, është ngjitur në katin e dytë dhe ka ndenjur me Luan Hotin dhe Ervin Salianjin, Grida Dumën e të tjerë. Mohon që të ketë parë dhunë nga njerëzit në PD, por di që ka pasur goditje nga jashtë.

Edhe Orian Meta mohon që të ketë parë dhunë nga njerëzit në PD, por di që ka pasur goditje nga jashtë. Ai pretendon që nuk kishte marrë pjesë në veprime të kundërligjshme.

Vendim Demaj thekson se në pritje të nisjes së mbledhjes kur kanë dëgjuar zhurma që vinin nga jashtë. Ka zbritur dhe ka parë që hyrja kryesore po sulmohej nga jashtë, është ngjitur në katin e dytë dhe ka ndenjur me të tjerët. I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, ai kundërshton ndalimin dhe thotë që vetëm është përpjekur të mbrohet nga sulmi duke u fshehur.

Sokol Ndreu Pretendon që është i sëmurë me zemër dhe nuk është konfliktuar me njeri.

Afrim Deda kundërshton po ashtu ndalimin dhe thotë që vetëm është përpjekur të mbrohet nga sulmi duke u fshehur. Pretendon që nuk i njeh fare lëndët plasëse dhe nuk është konfliktuar me njeri.

Adrian Myrto thuhet se ka hedhur bidona uji ndaj protestuesve jashtë, pro ai e mohon përfshirjen në ngjarje të paligjshme

Ndërsa Ylli Gosturani një tjetër i arrestuar, shprehet që nuk ka lidhje me protestën e jashtme sepse ka qenë brenda dhe nuk është përfshirë në protestë dhe përleshje.

Kujtojmë se 34 të arrestuarit gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit kanë dalë sot para gjykatës. Prokuroria kërkon për 29 persona masën “Detyrim paraqitje”, ndërsa për pesë prej tyre “Arrest shtëpie”.

Mes personave të arrestuar ka edhe qytetarë nga Kosova. Sipas akuzave që janë ngritur, rezulton se 11 nga të arrestuarit janë mbështetës të Bashës dhe 23 të tjerë të Berishës.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!