Flamurtarit i shpëton fitorja nga duart në fund

schedule16:02 - 4 Dhjetor, 2017

schedule 16:02 - 4 Dhjetor, 2017

Flamurtari mund të kishte qenë ndjekësi më i afërt i Skënderbeut në Superligë, por nuk ia doli, vetëm për pak minuta. Një vlonjat i siguroi barazimin Luftëtarit në Gjirokastër.

Ishte shumë pranë vendit të dytë, por e humbi atë thuajse në fund.
Fatkeqësisht ishte një vlonjat që i hoqi Flamurtarit fitoren nga dora dhe që ndihmoi Luftëtarin të merrte të paktën një pikë në fushën e tij.
Përfundoi 1-1 përballja e javës së 13-të të Superligës në stadiumin e Gjirokastrës, dhe skuadra e trajnerit Shpëtim Duro nuk shfrytëzoi shansin e madh për të kaluar Kukësin e Kamzën, dhe për të qenë ndjekësja më e afërt e Skënderbeut.

Sidoqoftë, me mënyrën sesi u luajt ndeshja, barazimi ishte më e pakta që meritonte Luftëtari i trajnerit Hasan Lika.
Të rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria, gjirokastritët e kishin si një ndeshje për jetë e vdekje, aq më tepër që luanin në shtëpi.
Edhe pse pësuan gol shpejt, që në minutën e 26-të pas goditjes së brazilianit Zhufo, ata nuk e humbën shpresën duke këmbëngulur deri në fund.
Krijuan shumë raste me anë të Bregut, Abazajt e Rrocës, veçse nuk qenë të saktë sa duhet.

Natyrisht edhe Flamurtari pati mundësitë e veta, veçse shumë më të pakta, duke ia lënë më shumë iniciativën kundërshtarit.
Kush kërkon gjen dhe Luftëtari e ia doli të shmangte humbjen në minutën e 80.
Autor i golit, me mjaft zotësi, ishte pikërisht vlonjati Devi Bregu.
Me këtë barazim, gjirokastritët mbeten sërish në vend të parafundit, në zonën e ftohtë që të zbret nga kategoria, por tani pak më pranë Vllaznisë, dy pikë larg.
Flamurtari, ndërkaq po provon sesa i vështirë është ky sezon, ku për Europën kanë ambicie të paktën pesë skuadra.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!