Flamurtari shpreson të jetë pretendent këtë sezon në kampionat

schedule16:53 - 17 Gusht, 2018

schedule 16:53 - 17 Gusht, 2018

Flamurtari shpreson të jetë pretendent për titull këtë sezon. Afrimi i trajnerit Ilir Daja nga Skënderbeu jep më shumë besim, ndërsa priten përforcime të tjera.

Projektet kanë dështuar njëri pas tjetrit, por ndoshta nuk do të jetë më kështu. Flamurtari ndihet më mirë tani që në stol ka Ilir Dajën, njeriu që fitoi titullin kampion me Skënderbeun edicionin e kaluar.

Trajneri ambicioz tiranas po punon fort që vlonjatët të jenë padyshim pretendentë, ndërsa të dielën do të jetë ndeshja e parë e Superligës, ajo në fushën e Teutës.

Një provë tepër e vështirë për të cilën Daja kërkon të jetë gati dhe të marrë maksimumin. Mësohet se trajneri po bën më shumë sesa ushtrimi i ekipit në fushën e stërvitjes.

Daja i kushton rëndësi të madhe punës teorike me skuadrën, diçka që është bërë edhe më parë nga trajnerët të ndryshëm, por ndoshta specialisti tiranas e thekson më shumë.

Gjithsesi, nuk hiqet dorë nga përforcimet. Tashmë ka ardhur Argjend Mustafi, mesfushori 26-vjeçar nga Kosova, ish-lojtar në Shqipëri me Tiranën apo Partizanin.

Po ashtu besohet se do të vijë edhe një mbrojtës nga Rumania. Mësohet se është arritur një marrëveshje me 25-vjeçarin Serxhiu Popoviçi, që aktualisht ndodhet tek Dinamo e Bukureshtit, ndërsa më parë ka luajtur me Gaz Metanin dhe Botoshanin.

Daja, gjithsesi, fillimisht do të luajë me ekipin që ka, ndërsa në stafin teknik ka ndihmësin Ardian Mema, ashtu si tek Skënderbeu, e si trajner portierësh është vlonjati Luan Birçe.

Ndeshja në Durrës, ndaj Teutës, të dielën në orën 19:45. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!