Një skuadër e paparashikuar është ngjitur në vendin e tretë të Superligës. Flamurtari i Ilir Dajës po arrin suksese, pavarësisht largimit të lojtarëve dhe problemeve me rrogat.
Habia më e madhe nuk është që Partizani kryeson, as që Tirana rrezikon sërish. Lajmi i Superligës shqiptare për këtë sezon është Flamurtari.
Skuadra vlonjate, e njohur më shumë për problemet me pagesat dhe largimin e lojtarëve, papritur u ngjit në vendin e tretë, plotësisht në zonën e Ligës së Europës.
Fitorja 3-1 ndaj Teutës ishte thjesht konfirmimi i asaj që po ndodh, si dhe parakalimi i durrsakëve në renditje, në një transformim që duket si i pabesueshëm.
Trajneri Ilir Daja foli për faktorin fat dhe për problemet.
Me të paktën 8 lojtarë të ikur që nga janari, dhe me rrogat e padhëna me përjashtim të 30 përqindëshit të fillimit të sezonit, duket se pikërisht Daja është faktori kryesor për suksesin.
I prezantuar gjatë verës tek Flamurtari, ai u vlerësua që në atë kohë si përforcimi më i mirë i kryer nga administratori Idrizi.
Burime në skuadër pohojnë se trajneri ka krijuar një lidhje të fortë me lojtarët, dhe një atmosferë shumë të mirë, pavarësisht problemeve.
Daja thotë se cila është gjëja më e rëndësishme sipas tij, por nuk dëshiron të bëjë parashikime.
Ilir Daja është një nga trajnerët me më shumë përvojë, por edhe me kontrastin më të madh në futbollin shqiptar.
Kampion me Dinamon në 2008, pas titullit të 2006-ës me Elbasanin.
Pastaj disa vite punë me moshat tek Dinamo, dhe me akademinë e tij private, dhe më tej një aventurë që nisi mirë, por që u mbyll keq tek Tirana me shkarkimin e papritur nga presidenti Refik Halili.
Nuk mbeti gjatë pa punë, por shkoi tek Skënderbeu ku vendosi rekorde në Ligën e Europës, me 5 pikë në fazën e grupeve, si dhe ku fitoi titullin e tretë personal kampion të Superligës.
Me një karrierë të tillë, gjithsesi, nuk është habia më e madhe që Flamurtari i Ilir Dajës jo vetëm nuk është dorëzuar, por edhe mund të arrijë një kualifikim të pamenduar në Europë. /abcnews.al