Flamurtari pësoi një humbje të papritur dhe të rëndë në fushën e Kastriotit, duke mbetur larg zonës europiane në Superligë. Rezultatet e javës së fundit bënë që lufta për mbijetesë të ashpërsohet në maksimum.
Nuk luhet vetëm për titull, por edhe për Europën. Gjithsesi, duket se Flamurtari i cilësuar pretendent, po i largohet gjithnjë e më shumë edhe këtij objektivi. Fitorja ndaj Partizanit një javë më parë në Vlorë dha shpresa, por ja ku u bë thuajse e pavlefshme nga disfata në fushën e Kastriotit. Në stadiumin e Fushë Krujës, në një terren vërtet të vështirë për të luajtur futboll, vlonjatët nuk arritën të përshtateshin, dhe ishin pikërisht ata që u dëmtuan më shumë, si lojtarë me cilësi më të lartë.
Goli i shënuar nga afrikani Ogebugu në pjesën e parë përcaktoi fatin e ndeshjes së javës së 15-të të Superligës, duke e lënë ekipin e trajnerit Ilir Daja 12 pikë larg kreut dhe 5 pikë poshtë zonës europiane. Kohë ka për t’ia dalë, por Flamurtarit i mungon ende vazhdimësia. Kastrioti mund të kishte fituar më thellë, pasi pati në favor edhe një 11-metërsh, ndërsa i dha vetes shpresë për mbijetesën.
Suksesi bëri që skuadra e trajnerit Stavri Nica të parakalonte Kamzën dhe të ngjitej në vend të parafundit. Rezultati në Fushë Krujë, i kombinuar edhe me barazimin pa gola mes Laçit e Kamzës, bëri që lufta për mbijetesë në Superligë të ashpërsohej në maksimum. Luftëtari, Tirana, Kastrioti e Kamza ndahen vetëm nga 4 pikë, dhe secila prej tyre mund të shpëtojë, ose të bjerë në Kategorinë e Parë./abcnews.al