“Flamurtari, ekipi i vërtetë i Rilindjes! Ja pse nuk zhbllokohet merkato”

schedule17:11 - 7 Shkurt, 2020

schedule 17:11 - 7 Shkurt, 2020

Zhbllokimi i merkatos së Flamurtarit, federimi i lojtarëve që prej janarit stërviten në Vlorë, situata në klubin vlonjat: administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i prek të gjitha. Aktualisht ai konfirmon pagesën e bërë në FIFA pas bllokimit të merkatos, ndërsa pret edhe federimin e lojtarëve,të cilët janë aktualisht të lirë dhe mund të federohen në çdo skuadër.

“Nuk është shlyer vetëm lojtari rumun, janë shlyer disa lojtarë. E kam thënë që Flamurtari nuk ka vetëm një lojtar për të shlyer, ka një duzinë lojtarësh. Ne kemi plotësuar detyrimet ndaj tyre prej disa kohësh. Tani jemi në atë ngërçin e madh, meqë transfertat janë bërë nga Turqia në drejtim të avokatëve që ata përfaqësohen.

Një seri konfirmimesh të llojit që një Zot e di nga vijnë dhe si vijnë. Nuk janë të aftë të zhbllokojnë situatën tonë. Domethënë është një situatë që duhet të ishte zhbllokuar automatikisht. Tani ka një javë, ose 8-9 ditë nga sot dhe vazhdon të mbetet e bllokuar. Nuk i kuptoj arsyet”, është shprehur Idrizi  për ABC News.

 

Futbollisti rumun, Cristian Sirghi, i cili ka fituar gjyqin me Flamurtarin

PROBLEMI I MADH – Kreu i klubit vlonjat flet edhe  për ligjin e sportit, por edhe për faktin se FSHF ka ndihmuar shume në këtë çështje, me kontaktet e saj me FIFA-n. Idrizi vlerëson skuadrën aktuale, lojtarët që janë në grup dhe lojtarët që janë afruar dhe vijojnë stërvitjen me skuadrën. Mes të tjerave ai zbulon edhe problemin real që ka të bëjë me mënyrën e pagesës, përmes kompanive turke që e administrojnë Flamurtarin.

“Kjo historia e konfirmimit është një situatë ku nuk dihet kujt t’i vihet pika. Në këtë situatë kemi një ndihmesë ta jashtëzakonshme nga Federata Shqiptare e Futbollit, përjashto pjesën tonë të kryerjes së pagesës, në veçanti nga Aldi Topçiu. Është 24 orë në kontakt me ne. Nuk e di a ka një kapricio apo diçka të një lloji tjetër. Nuk futem te kjo pjesa e komplotit, që të mbarojnë këto ndeshjet e rëndësishme. Por ka një situatë që nuk po zgjidhet dhe nuk e di pse.

Lojtarët janë të lirë që të federohen në çdo moment, por nuk kemi pse i mbajmë kur nuk na duhen më pastaj. I kemi sjellë lojtarët që mendojmë se mund të bëjnë ndryshimin, që të mos e prishim garën. Flamurtari duhet të vazhdojë garën dhe kjo historia e licencimit duhet të mbarojë. Nuk e di sa do të vazhdojë ky hetim, nga vijnë dhe si vijnë, pasi ato kanë ardhur nga kompanitë që e financojnë Flamurtarin.

 

Sinan Idrizi dhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli

E përsëris: Pse nuk vijnë nga llogaritë e Flamurtarit, por direkt nga Turqia tek avokatët, është sepse llogaritë tona janë të bllokuar prej më shumë se një viti për shkak të tatimeve. Duhet gjetur mirëkuptimi për pjesën e tatimit. Kur e kam kërkuar ligjin e sportit, pikërisht për këtë e kam kërkuar. Unë nuk kërkoj kurrë amnisti fiskale, por thjesht të përcaktohen rregullat e lojës dhe të jemi të qartë me atë që do të bëjmë. Ok, u bë kjo pagesë, por janë edhe disa të tjera dhe nuk dua të fus kompanitë.

FALENDERIMI DHE NGACMIMI – Idrizi tregon se FSHF po i ndihmon shumë që ky problem i tyre të zgjidhet. “Gjatë gjithë këtyre ditëve, FSHF, që ju e dini sa dashamirës jam unë ndaj tyre, ka bërë një punë që me të vërtetë është për t;u përgëzuar dhe për t’u falënderuar në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaron administratori i vlonjatëve. Në fund edhe një batute për ndeshjen e radhës në kampionat me Partizanin. “Shpresoj që ekipi, ekipi real i rilindjes që jemi ne, t’i japim një nga këto mësimet që ndoshta ata do ta vuajnë gjatë. Kjo është dëshira ime”, përfundon Idrizi. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!