LONDËR- Aktivistët e një grupi fushate pikturuan një flamur gjigant ukrainas të enjten në një rrugë në qendër të Londrës ku ndodhet Ambasada e Rusisë. Në solidaritet me Ukrainën, grupi i quajtur “Led by Donkeys” hodhi mbi 300 litra bojë të verdhë dhe blu për të krijuar një flamur ukrainas prej 5.382 metrash katrorë në rrugë në Kensington Palace Gardens, raportojnë mediat.
Duke shpërndarë një foto nga ky aktivitet në rrjetet sociale, grupi rikujtoi se 24 shkurti është përvjetori i parë i luftës ruse në Ukrainë.
“Nesër është përvjetori i parë i pushtimit imperialist të Putinit në Ukrainë, një shtet të pavarur dhe një popull me çdo të drejtë për vetëvendosje. Ekzistenca e një flamuri masiv ukrainas para ambasadës së tij në Londër do të shërbejë për t’i kujtuar atij atë”, thuhet në Twitter.
Ndërkohë, policia e Londrës tha se katër persona, tre meshkuj dhe një femër, u arrestuan për “dëmtim kriminal dhe pengim të rrugës”. Në Britani do të mbahet një minutë heshtje sot për të shënuar përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë.