Flamuri i PD-së me dron mbi kokat e socialistëve në Tropojë, kandidati i PS-së nxjerr momentin kur bie

schedule22:04 - 9 Prill, 2021

schedule 22:04 - 9 Prill, 2021

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit, Petrit Malaj ka reaguar pas incidentit në takimin e tij me qytetarët e Tropojës, ku një flamur i PD-së valëvitej në qiell me anë të një droni.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj ka postuar një video ku shihet se droni në fjalë përplaset me një rrjet anësore  të stadiumit ku po mbahej takimi dhe për pasojë rrëzohet në tokë.

Më herët videon teksa flamuri i PD-së fluturonte mbi kokat e socialistëve e postoi ish kryeministri Sali Berisha, por në të nuk dukej momenti i rrëzimit.

Petrit Malaj:

Kjo është përgjigjia ime, ndaj provokimit të sotëm, dhe gjithë “portaleve” dhe personave dezinformues, të cilët kanë për qëllim vetëm të gënjejnë qytetarët Tropojan dhe mbarë Shqipërinë, duke nxjerrë pamjet e sotme të pjesshme dhe pa zë. Ky takim, jo vetëm që nuk u ndikua nga disa çapaçul, por ishte një organizim madhështor nga të rinjtë tropojan me vizion të ri, larg nga e vjetra dhe me sytë nga e ardhmja e tyre, duke lënë pas, militantizmat dhe tifozllëkun e verbër politik!

“I vetmi shpend që e merr guximin ti bjer në qafë shqiponjës, është sorra. I ulet në kurriz dhe fillon ti çukisë qafën. Megjithatë, shqiponja nuk i përgjigjet, as nuk lufton me të, as nuk merret me të fare. Thjeshtë hap krahët dhe fillon të fluturoj lart. Sa më lart ngjitet aq më shumë i vështirësohet frymëmarrja sorrës për shkak të mungesës së oksigjenit. Mos humb kohë me njerëzit e pavlerë, ngjitu në nivele të larta dhe ata do të zhduken vetë. Kjo është mënyra më e mirë për ti hequr qafe sulmet e kota nga njerëz të kotë”.

Në 25 prill, Tropoja do të japë sinjalin e pritur për 30 vite!