Flamuri i Kosovës acaron përfaqësuesin e Rusisë në OKB, ndërpritet mbledhja e Këshillit të Sigurimit

schedule17:16 - 13 Prill, 2021

schedule 17:16 - 13 Prill, 2021

Flamuri i Kosovës është bërë shkaktar i ndërprerjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përfaqësuesi i Rusisë, Dimitri Poljanski, kërkoi nga udhëheqësi i seancës që përfaqësuesja e Kosovës, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të heqë flamurin e Kosovës që ndodhej pas saj.

Lexo edhe: Mblidhet sot Këshilli i Sigurimit i OKB-së, diskutohet për Kosovën

 “Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet i pavarur, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë ambientin,  ose të heq flamurin”, tha përfaqësuesi rus.

Ndaj kërkesës së Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që kryediplomatja nga Kosova të ndryshojë pamjen.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjen pas saj për të vijuar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka pezulluar mbledhjen e hapur virtuale për Kosovën për të vazhduar konsultimet në një mbledhje të mbyllur pas kërkesës së Rusisë.

Ndërkohë pas një ndërprerje të takimit online, Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, protestoi ndaj prezantimit në seancë nga Prishtina pasi theksoi se po promovon simbolet e shtetit të Kosovës i cili sipas tij nuk ekziston.

Ai tha se abuzime të tilla ishin absolutisht të papranueshme dhe përbënin një shkelje flagrante të rregullave të Këshillit të Sigurimit.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, paraqiti përpara Këshillit të Sigurimit shqetësimin se udhëheqësit politikë shqiptarë në Kosovë kërcënojnë vazhdimisht të bashkojnë Kosovën me Shqipërinë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Albin Kurti, kishte kërcënuar me bashkim disa herë, dhe se një anëtar i partisë së tij deklaroi publikisht fundjavën e kaluar se do të bashkojnë Kosovën dhe Shqipërinë.

Selakoviç paralajmëroi se ide të tilla janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!