Sezoni i kaluar ishte fantastik për Tottenham. Mauricio Pochettino ia doli të dërgonte ekipin anglez për herë të parë në finalen e Champions League, aty ku dështoi përballë një Liverpooli shumë të fortë.
Ky sezon nisi keq, ekipi ka gabuar pafund në kampionat, teksa është pranë kualifikimit për më tej në Champions. Klubi vendosi të ndryshojë dhe në pankinë do të ulet Jose Mourinho. Portugezi do të qëndrojë te Spurs deri në verë e vitit 2023 dhe ndihet i emocionuar për nisjen e kësaj aventure.
“Jam i entuziazmuar që bashkohem me një klub me trashëgimi kaq të madhe dhe tifozë pasionantë. Cilësia në skuadër dhe akademi më emocionojnë. Më ka tërhequr gjithmonë ideja për të punuar me këta djem“, janë fjalët e para të “Special One”.
Një koment rreth kësaj zgjedhje ka bërë edhe Daniel Levy, presidenti i Tottenham. “Jose është një nga menaxherët më të suksesshëm në futboll. Ai ka një përvojë të pasur, arrin të frymëzojë ekipin dhe është një takticien i madh. Jemi të bindur që do të sjellë energji dhe besim në dhomat tona të zhveshjes“, theksoi kreu i Tottenham. /abcnews.al