Fjala e panjohur e Enver Hoxhës: Çabej nuk bëri krime si Koliqi

schedule08:44 - 16 Qershor, 2021

schedule 08:44 - 16 Qershor, 2021

Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur më 11 korrik të vitit 1961 në një takim me shkrimtarët dhe artistët, i njohur ndryshe si mbledhja ku ai foli për herë të parë lidhur me kontraditat që ekzistonin asokohe në mes shkrimtarëve shqiptarë që ishin ndarë në dy grupe, të konsideruar si “të vjetrit dhe të rinjtë”! Diskutimi i Enverit në atë mbledhje ku ai pasi foli për traditën dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë, përmendi arkitektët e njohur: Skënder Luarasi, Anton Lufi dhe Eqrem Dobi, duke i vlerësuar ata projektet me shije të holla artistike që kishin realizuar, si pasardhës të Arkitekt Sinanit dhe Karl Gegës, projektuesit të hekurudhës malore të Semeringut, u ndal dhe te shkrimtarët, duke folur për Andrea Varfin nga “grupi i të vjetërve” dhe për Ismail Kadarenë, nga “grupi i të rinjve”, poezitë e të cilit si ajo “Princesha Argjiro”, etj., i kishin pëlqyer shumë. Fjala e Enverit për ish-shokun e viteve të rinisë, Eqerem Çabej, për të cilin ai tha se i’a kishte dhënë dorën pas 30 vjetësh, pasi ai “nuk kishte tradhëtuar si Ernest Koliqi” dhe ngjarja me intelektualin e njohur dhe “me karakter jo të dobët”, që pasi kishte vuajtur disa vite në burgjet politike, kur ishte liruar, i kishte shkruar një letër udhëheqjes “për ndryshimet e mëdha që kishte bërë Partia” duke kërkuar t’ja botonin, por emrin e tij ai tha se…?!

“Një person me kulturë të gjerë dhe me karakter jo të dobët, për fajet që kishte kryer gjatë pushtimit fashist, ishte dënuar me burgim. Pasi mbaroi dënimin, u lirua, dhe me autobus shëtiti në të katër anët e vendit, ku pa qytete të reja, fabrika, hidrocentrale, rrugë, kanale, fusha e të tjera. Pas kësaj, ai i drejtoi një letër Komitetit Qendror të Partisë, ku i shkruan se “tani që u lirova, shëtita në të katër anët e vendit, pashë të gjitha ato mrekulli që janë bërë nga populli ynë gjatë viteve pas çlirimit. Te unë ngjau një ndryshim i madh, u bë një transformim në pikëpamjet e mia dhe jam i bindur se, sikur ta kishim pushtetin në dorë ne, nuk do të kishim bërë kurrë vepra të tilla. Për të arritur këto rezultate, duhej një forcë e madhe dhe e zgjuar që ta udhëhiqte popullin”. Në letër ai shkruante edhe plot gjëra të tjera dhe, duke përfunduar, i lutet Partisë që letra e tij të botohet. “Do të ketë njerëz, thotë ai, që do të thonë se ja, edhe unë e ula kurrizin, por unë do t’u them atyre se, fundi i fundit, unë i përulem popullit tim, vëllezërve të mi, komunistëve shqiptarë, nën drejtimin e të cilëve u ngritën këto gjëra të mrekullueshme, të cilat ne nuk do t’i bënim dot kurrë”. Ky nuk është një njeri i thjeshtë, por emrin e tij…”?!

Kështu shprehej në mes të tjerash Enver Hoxha në takimin e mbajtur më 11 korrik të vitit 1961 me shkrimtarët dhe artistët, e njohur ndryshe si mbledhja ku ai foli për herë të parë mbi kontraditat që ekzistonin asokohe midis tyre, të cilët ishin ndarë në dy grupe, “të vjetrit” dhe “të rinjtë”, ku ai foli gjatë, fillimisht duke folur për trashëgiminë kulturore dhe artistike të popullit tonë ku përmendi arkitekt Sinanin dhe Karl Gegën që kishte projektuar hekurudhën malore të Semeringut në Austri, vlersoi lart edhe projektet e realizuar me shije të holla artistike të arkitektëve Skënder Luarasi, Anton Lufi dhe Eqerem Dobi, u ndal edhe tek ish-shoku i tij i rinisë, Eqerem Çabej, për të cilin tha se “ia dhashë dorën pas 30 vitesh, edhe pse ai nuk ishte me ne, por nuk tradhëtoi si Ernest Koliqi….”, për ta mbyllur fjalën e tij me diskutimin e shkrimtarit Andrea Varfi dhe Ismail Kadare, poezitë e të cilit, si “Princesha Argjiro”, i kishin pëlqyer shumë. Lidhur me këtë dhe të tjera nga fjala e diktatorit komunist të Shqipërisë të mbajtur në korrikun e ’61-it, do njihemi në këtë shkrim që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe me disa shkurtime, duke hequr pjesët propagandistike.

Fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen me shkrimtarët dhe artistët 11 korrik 1961

Të dashur shokë e shoqe, Është një kënaqësi për mua të asistoj në këtë mbledhje dhe mund të them se kam përfituar shumë nga diskutimet tuaja të drejta në përgjithësi, të zjarrta, të përshkuara nga një frymë e lartë patriotike dhe një dashuri e pakufishme për popullin dhe Partinë tonë të shtrenjtë të Punës. Me këtë rast, shokë shkrimtarë dhe artistë, dëshiroj t’ju transmetoj përshëndetjet më të përzemërta të Komitetit Qendror të Partisë dhe siguroj ju se Partia dhe udhëheqja e saj, edhe në të ardhshmen, do të kujdesen për zhvillimin e kulturës në përgjithësi dhe në veçanti për zhvillimin e letërsisë dhe të arteve në vendin tonë. Këtë kujdes të natyrshëm, të domosdoshëm të Partisë, ju e keni ndierë në jetë. Ju, shkrimtarët e artistët, bashkë me Partinë, keni kaluar e keni ndierë të gjitha vuajtjet, sakrificat dhe gëzimet e popullit tonë. Gjatë gjithë këtyre viteve në veprën tuaj ju jeni ndihmuar nga ana ideopolitike e profesionale me të gjitha forcat dhe mundësitë që kanë ekzistuar. Përsa i përket anës materiale, ndihma ka ardhur duke u shtuar e duke u përmirësuar. Ju, si pjesëtarë të këtij populli, si bashkëluftëtarë të të njëjtit front me klasën punëtore dhe fshatarësinë, keni vënë re se edhe plotësimi i nevojave tuaja materiale ka shkuar gradualisht përpara, krahas përmirësimit të jetës së popullit.

Vendimi i fundit i Komitetit Qendror të Partisë është marrë me qëllim që t’u jepet një hov akoma më i madh zhvillimit të letërsisë dhe të arteve në vendin tonë. Ky vendim, sikundër na kanë raportuar, siç kemi lexuar në shtyp dhe siç po e vëmë re edhe këtu nga diskutimet tuaja, është pritur mirë nga ju. Ju keni qenë dakord me këtë vendim dhe e keni parë të nevojshme që të udhëhiqeni prej tij në punën tuaj krijuese. Kjo është një gjë shumë e mirë, që tregon, përveç provave të tjera të panumërta që keni dhënë, se ju jeni bij të denjë të këtij populli, provon edhe një herë akoma se intelektualët tanë, shkrimtarët dhe artistët, në momente të mira e të vështira, ecin të vendosur në rrugën e marksizëm – leninizmit, u qëndrojnë besnikë Partisë dhe interesave të larta të popullit tonë e të socializmit.

Letërsia dhe artet tona janë zhvilluar në rrugë të drejtë ç’mendim kanë Partia dhe udhëheqja e saj për zhvillimin e arteve dhe të letërsisë në vendin tonë gjatë këtyre 17 vjetëve të pasçlirimit? Unë mund të them, me pak fjalë, se pikëpamja e Partisë dhe e udhëheqjes së saj është se zhvillimi i letërsisë dhe i arteve në vendin tonë ka qenë i vrullshëm në të gjitha fushat. Ky zhvillim i vrullshëm dhe në rrugë të drejtë, brenda një kohe kaq të shkurtër, pa nxjerrë këtej konkluzione mburrjeje, dëshmon për fuqinë krijuese dhe talentin tuaj, të njerëzve të artit e të letërsisë, si dhe për vitalitetin e talentin krijues të popullit tonë. Njerëzit tanë të letërsisë dhe të arteve janë të thjeshtë, ashtu siç është vetë populli ynë. Por duhet të themi se veprat tuaja, krijimtaria juaj, qoftë në letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë, apo në artin skenik, ju nderojnë ju dhe gjithë popullin, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky është një sukses i madh, sepse, të mos harrojmë, në Shqipëri, gjatë regjimeve antipopullore, ndryshe nga ç’ka ndodhur në vende të tjera, mundësitë për zhvillimin e letërsisë dhe të arteve kanë qenë shumë të kufizuara, për shkak të qëndrimit negativ dhe prapanik të borgjezisë së vendit ndaj letërsisë e arteve dhe mjeteve jashtëzakonisht të pakta që viheshin në shërbim të tyre.

Populli ynë ka trashëguar një kulturë të madhe me tradita përparimtare Ju, shokë, jeni punonjës të frontit të kulturës dhe e dini mirë se gjatë historisë shumë popuj, bile edhe të mëdhenj, me qytetërim të lashtë, janë zhdukur, ndërsa populli ynë ka rezistuar, nuk është zhdukur. Populli ynë nuk është zhdukur gjatë shekujve, sepse ka qenë një popull trim, një popull që gjatë shekujve ka luftuar për t’u mbrojtur, për të fituar e për të ruajtur lirinë, pavarësinë, gjuhën e kulturën e tij. Pavarësisht se kultura jonë nuk ka pasur një zhvillim të tillë, siç e kanë pasur disa popuj të tjerë, populli ynë, një nga popujt më të vjetër, nuk ka qenë pa kulturë. Eshtë e pamundur që një popull pa kulturë të kapërcejë vështirësi aq të mëdha si ato që ka kapërcyer gjatë shekujve populli ynë, vështirësi që rrezikonin shfarosjen e tij.

Kishat, megjithëse jo me shkëlqimin e monumenteve të Bizantit, veprat e ikonografisë që ishin lënë në harresë në të kaluarën, përfaqësojnë një pjesë të kulturës së kaluar të stërgjyshëve tanë dhe ne këto vepra arti duhet t’i ruajmë, t’i grumbullojmë, pavarësisht se kanë karakter fetar, ato sot për ne kanë vlerën e një thesari të paçmuar artistik. Tani në vendin tonë bëhen kërkime arkeologjike në shkallë të gjerë, ndër të cilat gjejmë thesar që tregojnë se populli ynë nuk ka qenë një popull i paditur e pa kulturë, por një popull me kulturë dhe me një shije të lartë artistike. Do të vijë koha kur muzetë tona do të mbushen me vepra të tilla, që do të jenë një trashëgim i pasur dhe i paçmueshëm i kulturës së kaluar të popullit tonë, po për këtë neve na duhet të studiojmë akoma më shumë të kaluarën e shkëlqyer të tij, sepse atje ne gjejmë të shprehur të gjithë jetën, gëzimet, vuajtjet, shijen e tij artistike, luftërat për liri dhe pavarësi, prirjet dhe zakonet që populli ynë ka trashëguar gjenerata pas gjeneratash deri në kohën e sotme. Ç’tregon ky art dhe kjo kulturë e lashtë që ka pasur populli ynë? Ato tregojnë një karakteristikë të veçantë për të, luftën dhe vendosmërinë e tij për çështjen e mbrojtjes së atdheut, të tokës, të jetës dhe të zakoneve të tij.

Unë mendoj se edhe në artet figurative ne kemi një trashëgim të pasur. Artet figurative e të aplikuara, megjithëse jo siç i kemi sot, kanë ekzistuar edhe në kohët më të errëta, kur vendi ynë ishte i pushtuar nga Turqia. Gratë e vendit tonë, zanatçinjtë shqiptarë qëndisnin në pëlhura, në filigrame, skalitnin në gur e në dru gjëra aq të bukura artistike saqë ato zënë një vend të shquar në pasurinë e artit tonë popullor. Prandaj edhe në fushën e arteve figurative, që ne e konsiderojmë shumë të re, kemi pasur tradita dhe nuk do të ishte e drejtë të thoshim se traditat në këtë fushë na mungojnë. Po kështu ne kemi tradita edhe në fushën e arkitekturës, e cila, siç dihet, bën pjesë dhe në sferën e artit. Është e vërtetë se tablotë e skulpturat e piktorëve e të skulptorëve tanë janë vepra të bukura artistike, por edhe një pallat apo një shtëpi kulture, e ndërtuar me shije të lartë artistike, si ato që janë projektuar nga arkitektët tanë të talentuar, si Skënder Luarasi, Anton Lufi, Eqrem Dobi dhe të tjerë, janë vepra arti, edhe atje të duket shija e hollë artistike, edhe te guri qëndron në mënyrë të pashlyeshme shija artistike e një populli. Nga gjiri i popullit tonë ka dalë arkitekt Sinani, njeri i shquar, emri i të cilit përmendet në çdo libër të literaturës botërore mbi historinë e arkitekturës. Shumë e dinë se tunelin e famshëm Semering në mes të Alpeve e ka projektuar arkitekti i shquar shqiptar Gega. Kujtimi i autorit të kësaj vepre, që ka kërkuar mendje dhe zotësi të madhe, është përjetësuar në një basoreliev të vendosur në hyrje të tunelit.

Patriotizmi është filli i kuq që përshkon të gjitha aspiratat, përpjekjet dhe krijimtarinë e popullit tonë e të njerëzve të dalluar të tij në çdo lëmë. Shpirti i flaktë i patriotizmit ka udhëhequr rilindasit shqiptarë që kanë bërë vepra aq të bukura dhe aq të frymëzuara. Rilindasit në krijimtarinë e tyre, janë udhëhequr nga patriotizmi i zjarrtë, nga dashuria e madhe për atdheun dhe për popullin. Frymëzimi i madh i rilindasve, patriotizmi i tyre i kulluar, dashuria e flaktë për atdheun dhe perspektivat që i hapnin me veprat e tyre popullit shqiptar, duhet t’i frymëzojnë edhe shkrimtarët e artistët tanë në krijimtarinë e tyre. Pavarësisht se në veprat e rilindasve ka edhe pikëpamje filozofike të ndryshme të atyre kohëve, me të cilat disa herë ne nuk jemi dakord, ata mbetën tanët dhe të rinj përjetë. Naim Frashëri mbetet Naim, poeti ynë më i madh që adhurohet nga të gjithë, sepse ai i ka kënduar me patos të madh bukurisë së atdheut, u shkri si qiriu për lirinë, për gjuhën shqipe, ëndërroi, punoi e luftoi për të ardhshmen e popullit tonë, të cilën e bënë realitet Partia e Punës e Shqipërisë me pushtetin popullor. Dhe ashtu si Naimi i kanë kënduar popullit dhe atdheut tonë me dashuri të madhe edhe shumë e shumë të tjerë shkrimtarë e poetë. Dihet se zakonisht popujt dhe talentet e mëdha krijuese e tregojnë veten më tepër se kurdoherë në momente kthese të rëndësishme. Kështu ka ndodhur edhe te ne. Këto vepra të mrekullueshme të shkrimtarëve dhe të artistëve tanë kanë dalë në momente kthese të jetës së popullit tonë, në periudha revolucionare.

Te ne po bëhen ndërtime me një ritëm të paparë, po zgjerohen e po lindin qytete, fshatarët pothuajse në masë po ndërtojnë shtëpi të reja; po zhvillohet, ose më mirë të themi po krijohet një industri e re e tekstilit, e qilimave, e qeramikës, e qelqit, e drurit etj. Për të gjitha këto tani po mendojnë e punojnë vetëm ato organe shtetërore-shoqërore që interesohen për plotësimin e nevojave të punonjësve. Por ne do të bëhemi “pishman”, si i thonë fjalës, dhe brezat e ardhshëm do të na kritikojnë në qoftë se nuk mendojmë dhe nuk punojmë që ato që ndërtojmë e prodhojmë të jenë të tilla jo vetëm sa për të plotësuar nevojat imediate, po të kënaqin dhe shijen jo vetëm të brezave të sotëm, por dhe të atyre të ardhshëm. Ka ardhur koha që organet e projektimit, për shembull, në planet e tyre të udhëhiqen jo vetëm nga kuotat financiare e normat e caktuara teknike, por duke u mbështetur në to, të organizojnë sa më shumë konsultime në mes tyre si dhe me studiuesit dhe me njerëzit e krijimtarisë, me ekzekutuesit artistikë, bile edhe me vetë punonjësit, intelektualët, gratë, të rinjtë etj., në mënyrë që ndërtimet tona, qytetet, fshatrat, banesat, institucionet shoqërore-kulturore, parqet etj. të jenë sa më të bukura, që të kënaqin e të edukojnë shijen artistike te njerëzit tanë dhe brezat e ardhshëm të shohin në to talentin e punës krijuese të arkitektëve, të inxhinierëve, të mjeshtrave dhe përgjithësisht të njerëzve të krijimtarisë artistike të kohës sonë.

Uniteti i shkrimtarëve e i artistëve me çështjen e popullit dhe të Partisë është i pathyeshëm Shokë, një diskutant tha këtu se kjo është një mbledhje e tillë që, po të ishte një i huaj midis nesh, do të mendonte se është një mbledhje partie. Dhe me të vërtetë ashtu është. Është vështirë të dallosh te ne se kush e ka e kush nuk e ka tesërën e Partisë. Kjo ndodh sepse ne së bashku, Parti e popull, jo vetëm çliruam atdheun dhe po ndërtojmë socializmin, por krijuam edhe një unitet të çeliktë moralo-politik të popullit tonë, që nuk mund të realizohet as me propagandë, as me fjalë, por vetëm me vepra. Janë veprat e mëdha që krijoi populli, nën udhëheqjen e Partisë dhe në saje të vijës së saj të drejtë, që siguruan këtë unitet të pathyeshëm midis Partisë dhe popullit. Është pjekuria e Partisë sonë, e cila bëri që i madh e i vogël në Shqipëri, sidomos kur shikojnë në horizont ndonjë rrezik, sado i vogël, lënë mënjanë çdo mëri, zemërim, pikëpamjet e kundërta dhe, ashtu siç bënin edhe stërgjyshët tanë, bashkohen fort si një grusht.

Durim të madh ka pasur Partia me njerëzit. Pas 30 ose 35 vjetësh unë i dhashë dorën një mikut tim të vjetër, Eqrem Çabejit. Këtë nuk kam pasur rast ta bëja më përpara. Eqremi mori një kulturë gjermane kur ishte i ri dhe mori rrugën e tij në jetë ashtu si e gjykonte ai, rrugë e ndryshme nga ajo jona. Është fakt se ai nuk ka qenë në një radhë me ne, por krime ai nuk ka bërë dhe, kur u çlirua atdheu, nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve, sikurse bëri Ernest Koliqi; Eqremi nuk tradhtoi si ai. Ishte fare lehtë që ne të merrnim masa kundër tij, por Partia këtë nuk e bëri, përkundrazi, e ndihmoi Eqrem Çabejin të vazhdojë punën e tij shkencore, të ndihmojë shkollën e pregatitjen e kuadrove dhe t’u shërbejë kështu popullit e atdheut. Eqrem Çabej është një shkencëtar, njeri me kulturë të gjerë. Ai po sheh ç’bëhet në vendin tonë, si ia ka ndërruar dhe po ia ndërron Partia vazhdimisht faqen vendit tonë. Unë jam i bindur, duke u bazuar në njohjen që kam për të, se ai është i kënaqur kur sheh që krahas tij janë ngritur njerëz të rinj me vlerë, kuadro të rinj shkencorë në atë fushë për të cilën ka punuar e me të cilët ai mund të diskutojë. Unë jam gjithashtu i bindur se në qoftë se ai i futet edhe më thellë studimit të shkencës së madhe të marksizëm-leninizmit, do ta ketë më lehtë të orientohet edhe në zgjidhjen e problemeve të shkencës së gjuhësisë. Mund të sjell edhe një shembull tjetër, të një njeriu të një kategorie tjetër, për të treguar drejtësinë e vijës së Partisë, e cila jo vetëm e bëri popullin një e të pandarë rreth saj, por bëri që edhe mjaft nga kundërshtarët tanë të ndryshojnë pikëpamjet e tyre.

Një person me kulturë të gjerë dhe me karakter jo të dobët, për fajet që kishte kryer gjatë pushtimit fashist, ishte dënuar me burgim. Pasi mbaroi dënimin, u lirua, dhe me autobus shëtiti në të katër anët e vendit, ku pa qytete të reja, fabrika, hidrocentrale, rrugë, kanale, fusha e të tjera. Pas kësaj, ai i drejtoi një letër Komitetit Qendror të Partisë, ku i shkruan se “tani që u lirova, shëtita në të katër anët e vendit, pashë të gjitha ato mrekulli që janë bërë nga populli ynë gjatë viteve pas çlirimit. Te unë ngjau një ndryshim i madh, u bë një transformim në pikëpamjet e mia dhe jam i bindur se, sikur ta kishim pushtetin në dorë ne, nuk do të kishim bërë kurrë vepra të tilla. Për të arritur këto rezultate, duhej një forcë e madhe dhe e zgjuar që ta udhëhiqte popullin”. Në letër ai shkruante edhe plot gjëra të tjera dhe, duke përfunduar, i lutet Partisë që letra e tij të botohet. “Do të ketë njerëz, thotë ai, që do të thonë se ja, edhe unë e ula kurrizin, por unë do t’u them atyre se, fundi i fundit, unë i përulem popullit tim, vëllezërve të mi, komunistëve shqiptarë, nën drejtimin e të cilëve u ngritën këto gjëra të mrekullueshme, të cilat ne nuk do t’i bënim dot kurrë”. Ky nuk është një njeri i thjeshtë, por emrin e tij nuk do t’jua tregoj. Edhe letrën e tij nuk e botuam, sepse Partia këtë njeri, që e dënuan drejtësisht ligjet e Partisë dhe të shtetit, e bëri njeri të ri dhe do ta mbrojë, sepse ne duam që askush të mos e fyejë tani që po hyn me të vërtetë në një jetë të re. Politika që ka ndjekur Partia, deri në ata njerëz që kanë dalë nga burgu, është një politikë e drejtë, që e ka lidhur ngushtë atë me popullin. Kjo politikë ka bërë që populli të aprovojë njëzëri dënimin e të gjithë atyre që tradhtojnë interesat e atdheut, qoftë me parti, qoftë pa parti. Vija e drejtë e Partisë, qëndrueshmëria dhe heroizmi i saj, kanë influencuar dhe influencojnë vazhdimisht edhe në pikëpamjet e atyre njerëzve që nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë dashur Partinë.

Letërsia dhe artet, duke ecur përpara në rrugë të drejtë, pasurohen çdo ditë e më shumë Në jetë ka shumë kontradikta, të cilat ju duhet t’i zbuloni dhe të tregoni rrugën e zgjidhjes së tyre. Raporti që mbajti në këtë mbledhje shoku Ramiz Alia, duhet të konsiderohet si diçka që plotëson vendimin e Komitetit Qendror të Partisë mbi letërsinë dhe artet. Shoku Ramiz nuk pretendon që me të do të zgjidhen të gjitha problemet e letërsisë dhe të arteve tona, por aty u jepet rrugë disa çështjeve kryesore që janë problem për ju. Ju mund të keni edhe vërejtjet tuaja, pikëpamjet tuaja për diçka që ndoshta duhet ndrequr akoma më tej; na i bëni ato që t’i ndreqim, sepse Partia mendon se gjëja më e vlefshme është ajo që del nga eksperienca e popullit. Ju keni edhe organet tuaja ku mund të drejtoheni, por ju mund t’i drejtoheni edhe Komitetit Qendror për një çështje të caktuar. Partia do t’i presë kurdoherë me kënaqësi vërejtjet dhe sugjerimet tuaja. Sikurse u theksua gjatë diskutimeve, jeta jonë është një burim i madh frymëzimi. Se ç’madhështi po krijohet në vendin tonë, ne po e jetojmë vetë. Kudo ka poezi, kudo ka novatorizëm dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund ta pengojë atë. Vetëm se duhet që ky novatorizëm të ecë në rrugë të drejtë, duke respektuar parimet e realizmit socialist; duhet që vepra të jetë e thjeshtë, e qartë, madhështore, mobilizuese, të edukojë e t’i hapë popullit perspektivën. Kjo ka rëndësi të madhe dhe këtë ne e gjejmë kudo. Novatorizmin ta kuptojmë ashtu siç e kupton punëtori novator. Në rast se punëtori apo tekniku novator kërkon të përmirësojë tornon, makinën, aeroplanin dhe nuk bazohet në shkencën, teknikën, në traditat e saj, atëherë nuk mund të ketë përparim tekniko-shkencor. Prandaj asnjë njeri nuk ka të drejtë të pengojë novatorizmin, por njëkohësisht nuk duhet të hidhen poshtë traditat e mira të së kaluarës.
Novatorizmi asnjëherë nuk duhet barazuar me mohimin e traditës. Ju duhet të tregoni kujdes të madh për brendinë. Ka rëndësi të madhe që vepra të dalë e bukur, e qartë, e kuptueshme, por ajo duhet të ketë edhe një brendi të shëndoshë, edukuese, të jetë e qartë dhe e dobishme për masat. Shoku Andrea Varfi, kur diskutoi, theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi. Edhe mua më pëlqen tetërrokëshi në poezi, edhe dhjetërrokëshi dhe kur dëgjova diskutimin e shokut Andrea i thashë në pushim se unë jam dakord me pikëpamjen e tij. Atëherë Andrea iu kthye shokëve dhe u tha me shaka: “Flitni tani po të doni”. Por në fakt ai u gabua dhe e vërteta është se dolën shokë e folën, diskutuan dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Kur dëgjova diskutimet e disa shokëve, të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë që doli sikur çështja shtrohet “të rinj” dhe “të vjetër”. Në fakt, disa nga ju janë të rinj, disa të tjerë janë të kaluar nga mosha, por unë mendoj se te ne nuk është problem çështja “të rinj” dhe “të vjetër”. Të rinjtë me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre bëjnë mirë që na shkundin ne më të vjetërve. Për këtë ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre. Dinamizmi i shokëve të rinj është një thesar i madh për Partinë dhe për popullin tonë. Ju, shokë të rinj, duhet të dini se edhe shokët e moshuar kanë kaluar në këto faza që jeni duke kaluar ju tani. Prandaj unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët dhe artistët më të vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, veçse ata, meqenëse kanë kaluar më parë nëpër këto shtigje, kanë frikë se mos nga hovi i madh ju shkisni nga rruga.

Por unë jam i bindur. se ju, shokë të rinj, nuk do të ecni kurrë në një rrugë të gabuar, se shkrimtarët dhe artistët tanë të rinj e të vjetër nuk do të shkasin kurrë nga rruga e madhe, metoda e realizmit socialist, mbi bazën e së cilës janë krijuar, në Bashkimin Sovjetik në radhë të parë, dhe në vendet e demokracisë popullore, vepra të tilla letrare e artistike që janë bërë pjesë e pandarë e trashëgimit më të mirë letrar e artistik botëror. Unë i kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, për shembull, atë që i’a ka kushtuar Kalasë së Gjirokastrës, “Princesha Argjiro”, e cila më ka pëlqyer, mbase sepse jam nga Gjirokastra. Kam lexuar edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent. Mua më vjen keq që nuk më kujtohen vjershat e disa shokëve që njoha e dëgjova këtu. Diskutimet tuaja në këtë mbledhje më shtyjnë t’ju siguroj se këtej e tutje do t’i lexoj edhe më me kujdes veprat tuaja, sepse si komunist dua me gjithë shpirt të shoh se si rinia ecën përpara, krijon vepra të bukura për popullin, për atë popull që ajo e do me aq zjarr, patriotizëm dhe shpirt djaloshar që nuk do të plaket kurrë. Unë mendoj se është një punë e mirë që të diskutoni ndërmjet jush për problemet që ju dalin përpara, sepse nga diskutimet shoqërore del gjithmonë diçka e re, e mirë. Shokët më me eksperiencë kanë një avantazh të madh, ata janë më të moshuar e dihet se në pleqëri “edhe uthulla nuk të duket aq e forte”.

Shokët Andrea Varfi, Llazar Siliqi ose të tjerë të kësaj kategorie nuk zemërohen nga diskutimet që u bënë këtu prej disa shokëve. Ata janë komunistë, janë më të vjetër në moshë, janë nga poetët tanë më të mirë, prandaj poetët e rinj mund dhe duhet të diskutojnë gjerësisht me ta. Por unë desha t’u them edhe të vjetërve edhe të rinjve se, në qoftë se do të bëjnë vjersha që u përngjasin atyre që bëjnë dekadentët borgjezë, kjo do të jetë me të vërtetë e neveritshme, vjersha të tilla janë për t’u hedhur poshtë, sepse ato e pengojnë zhvillimin e poezisë sonë dhe i edukojnë keq masat. Por nga sa di unë dhe nga sa kuptova nga diskutimet tuaja, deri tani në krijimtarinë letrare e artistike nuk ka pasur ndonjë gjë të keqe. Në qoftë se ka disa vjersha jo të mira, ju shokët me një talent më të afirmuar, mos i rezervoni kritikat kundrejt tyre, ndryshe do të bënit një gabim të madh.

Gjithashtu, edhe më të rinjtë do të mbanin një qëndrim të gabuar në rast se nuk do të dëgjonin kritikat e shokëve më të vjetër dhe më me eksperiencë. Veçse kritika duhet të jetë konstruktive, reale, shoqërore. Disa nga shokët që diskutuan përdorën edhe ca fjalë për të cilat u erdhi hidhur disa të tjerëve. Për shembull, ndonjëri arriti të thotë në diskutimin e tij se në vjershat e disa poetëve të rinj, nuk ka asgjë kombëtare.

Natyrisht, autori i ri nuk ka si ta mbajë në kurriz këtë kritikë. Prandaj shokët e rinj kërkuan fakte për të argumentuar se ku nuk janë kombëtare vjershat e tyre dhe, duke qenë se faktet nuk dolën, ata futën disa gjilpëra të holla, duke i quajtur shokët e vjetër si konservatorë, që u mbyllin rrugën të rinjve. Mendimi im personal është se derisa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’ka përse të mos pëlqehen. Mirë e tha shoku Ramiz Alia në referatin e tij: Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë. Në qoftë se një vepër pranohet nga populli, pëlqehet prej tij, atëherë ajo është në rregull. Nëse e bën poezinë me tetë, me dhjetë apo me dymbëdhjetë rrokje, me vargje të lira apo me rimë, kjo varet nga autori. Mund të ketë shkrimtarë e artistë që, kur krijojnë, mendojnë se si do ta presë krijimin e tyre ky apo ai shkrimtar ose artist. Kjo është një. gjë e mirë, sepse tregon që ata kanë respekt për të tjerët, për ata që kanë një eksperiencë të madhe krijuese. Por në të vërtetë, në radhë të parë, ai duhet të mendojë se çfarë do të thotë populli, çfarë do të thotë klasa punëtore dhe fshatarësia, si do ta presë veprën e tij opinioni i gjerë. Kjo ka një rëndësi të madhe. Në qoftë, pra, se ka bërë një vepër të mirë edhe kritika letrare ose artistike do t’ia presë patjetër mirë. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!