Këngëtari i njohur Florent Abrashi është rikthyer fuqishëm në skenën muzikore pas një periudhe të ngarkuar me projekte, emocione dhe ngjarje personale të bukura.
Fituesi i “The Voice of Albania 3”, i cili vite më parë u bë një nga zërat më të dashur për publikun shqiptar, këtë herë ka qenë ndër fituesit kryesorë në Festivalin e Këngës në RTK, duke u renditur i dyti në garë me këngën “Unë dhe Ti”.
Florenti rrëfen se pjesëmarrja në këtë festival ishte për të një përvojë shumë e veçantë:
“Jam shumë i lumtur që mora pjesë. Ky festival po kthehet në një ngjarje me peshë të madhe për muzikën shqiptare. Ndihem mirë që ka arritur në një nivel kaq të lartë artistik,” – tha Abrashi në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”.
Megjithatë, si çdo garë muzikore, edhe Fest RTK nuk i shpëtoi polemikave dhe komenteve të shumta pas përfundimit të natës finale. Për Florentin, rëndësi më shumë se çmimi ka pasur reagimi pozitiv i publikut për performancën e tij.
Krahas suksesit në muzikë, Florent Abrashi ka përjetuar së fundmi edhe një nga momentet më të bukura të jetës personale – dasmën me partneren e tij prej 12 vitesh, Vjosën.
Një detaj që i dha ngjyrë shqiptare dasmës ishte vallëzimi i Florentit me plis në kokë, një simbol krenarie që ai e kishte ëndërruar prej kohësh.
Megjithëse është këngëtar, Florenti tregon se nuk ka pranuar të interpretojë disa këngë gjatë dasmës së tij:
“Ka disa këngë që më ‘ngrejnë nervat’ nëpër dasma. Për shembull, ‘Kallma cigaren’ më duket një nga këngët më të panevojshme që të këndohen në dasma,”- shprehet ai.
“Edhe në dasma të tjera kur ma kërkojnë, nuk e këndoj. Dua që nusja të mos shihet si ‘shërbëtore’, ndaj i kam hequr nga lista disa tekste që nuk përshtaten me këtë ditë të veçantë.”
Florent Abrashi u bë i njohur për publikun në vitin 2014, kur u shpall fitues i “The Voice of Albania 3”. Ky ishte momenti që shënoi fillimin e karrierës së tij profesionale, duke e vendosur mes emrave më të dashur të skenës shqiptare.

