Kampioni në xhudo, Indrit Çullhaj ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, teksa foli për sukseset e shumta ndërkombëtare, por gjithashtu dhe sfidat dhe peripecitë që iu është dashur të kalojë për të arritur këtu ku është sot.
Fitues i 78 medaljeve dhe tre herë kampion ballkanik, rrugëtimi drejt suksesit për të nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi iu është dashur të ecë përpara pa asnjë mbështetje nga shteti për vite me radhë. “Për 10 vite nuk kam marrë kokërr leku nga shteti im. Kam fituar 78 medalje, ka patur dhe aktivitetet që nuk kam marrë medalje.
Por puna është që pas 10 vitesh jam me rrogë nga Bashkia e Tiranës. Marr 375 mijë lekë të vjetra si sportist elitar. Nuk të dalin as për rrugën. Nuk është kollaj me dal kampion. “, theksoi kampioni.
Ai tregoi se mungesa e vëmendjes nga shteti ka qenë një ndër arsyet që e ka bërë atë të tërhiqet, por siç thotë ai, familja e tij ka qenë mbështetja dhe shtysa më e madhe për të arritur qëllimet ndaj vetes. Ndër të tjera, ai rrëfeu qëllimin e tij për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio vitin e ardhshëm. xh.d/abcnews.al