Fituam titullin, jemi në krye, pranë grupeve të Evropës, Duro: Klubet shqiptare po dominojnë në Maqedoninë e Veriut

schedule16:56 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 16:56 - 20 Dhjetor, 2023

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Një skuadër e vogël si Struga u shpall për herë të parë kampione në Maqedoninë e Veriut këtë vit, dhe aventura vazhdoi e shkëlqyer.

Ekipi i shqiptarëve, i drejtuar nga trajneri nga Shqipëria, Shpëtim Duro, arriti në fazën “play off” të Conference League në gusht, ndërsa e mbylli 2023-in sërish në krye të ligës maqedonase.

Duro, në intervistën për ABC News me të drejtë ndihet krenar.

“Vit shumë i suksesshëm për Strugën, mund të them i pabesueshëm. U shpallëm kampion sezonin e shkuar, bëmë paraqitje të shkëlqyera në Evropë, shkuam deri në fazën ‘play off’, për pak shkuam në fazën e grupeve dhe përsëri jemi me ato ritme, e tani në dhjetor u shpallëm kampionët e dimrit”.

Pengu i vetëm mbetet eliminimi nga “play off”-i i Conference League, që nuk e lejoi të shkonte në grupe.

“Deri dy ditë para nuk dinim, ku do të luanim ishte alternativë Strumica, më pas ishte Shkupi e si përfundim u vendos në Ohër, por alternativa që ne donim, e cila u miratua edhe nga UEFA ishte “Elbasan Arena” dhe ishte një ndihmë jashtëzakonisht e madhe. Më e çuditshmja ishte që gjatë kësja periudhe 5-ditore, Federata Maqedonase e Futbollit fut një ndeshje kampionati dhe kjo ndikoi shumë”.

Në kryë të ligës maqedonase janë tre ekipe shqiptare, Struga, Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi.

“Gjithmonë shqiptarët janë kërkues, si çdo vend dhe kjo është një gjë pozitive, që janë skuadra shqiptare që po dominojnë e madje janë edhe skuadra të tjera, si Gostivari, që po bën paraqitje shumë të mirë, por edhe Voska e Ohrit. Pra janë 5 skuadra shqiptare, pothuajse gjysma e kampionatit. Kjo nuk është për të nxjerrë shifrat të sakta, por si Shkëndija ashtu edhe Shkupi kanë buxhete shumë më të mëdha se Struga”.

Një krahasim me Shqipërinë ka edhe aspektin pozitiv, edhe negativ.

“Kemi shumë diferenca me Maqedoninë e Veriut, përsa i përket infrastrukturës, medias, atje për shembull akoma nuk ka hyrë sistemi “VAR”, ama sa i përket lojtarëve edhe cilësisë, jo më kot lojtarët më cilësorë në vendin tonë vijnë nga Maqedonia, siç është rasti i kapitenit të Tiranës, Najdovski, para tij ishte Toshevski, ishte Jasir Asani, te Partizani, që vjen nga Maqedonia”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!