Fitorja ndaj kampionëve dhe sekreti i Leicester, Maddison zbulon gjithçka

schedule22:14 - 14 Shkurt, 2021

schedule 22:14 - 14 Shkurt, 2021

Leicester City ishte shumë afër kualifikimit në  Champions League sezonin e kaluar, por dështoi vetëm në javën e fundit të kampionatit, duke i lënë vendin United të Solskjaer.

“Dhelprat” e Rodgers e kthyen dhimbjen në forcë dhe këtë sezon po shkëlqejnë edhe më shumë. Fitorja e fundit 3-1 kundër kampionëve të Liverpool, ka ngjitur Leicester në vend të dytë (bashkë me United).

James Maddison, autori i 7 golave dhe 5 asisteve në kampionat, flet për BBC rreth fitores ndaj skuadrës së Klopp dhe sekretit të formës fantastike të Leicester City.

Di të them që fitorja ndaj Liverpool ishte fantastike. Edhe sezonin e kaluar po luanim shumë mirë kur pësuam gol. Këtë radhë ishte ndryshe, pasi nuk ramë në panik dhe e përmbysëm rezultatin.

E dinim që mund t’i godisnim në një farë mënyrë, ndoshta në kundërsulm, dhe ia dolëm. Sigurisht që është vetëm një ndeshje, por deri tani po zhvillojmë një sezon shumë të mirë.

Po tregojmë se jemi një ekip i nivelit të lartë dhe plot kualitet. Askush nuk flet për ne, pasi nuk jemi pjesë e gjashtë fantastikëve të Premier League.

Ka një ndryshim të madh krahasuar me sezonin e kaluar, mentaliteti ynë ka ndryshuar. Dhimbja që provuam vjet nga fakti që nuk ia dolëm të kualifikoheshim në Champions, na ka ndihmuar dhe na ka dhënë një shtysë më shumë.

U ulëm të gjithë bashkë dhe analizuam motivin se pse nuk ia dolëm dot. Tani gjërat kanë ndryshuar për mirë. Renditemi në një pozicion të kënaqshëm dhe jemi kualifikuar në FA Cup dhe Europa League“, deklaroi mesfushori anglez. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!