Analisti Skënder Minxhozi thotë se fitorja e Vangjel Tavos në Bashkinë e Himarës ishte e pritshme.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta e braktisën fushatën në Himarë, duke ia lënë partisë së Vangjel Dules.
“Fitorja e Vangjel Tavos dje, mbetet nga pikëpamja politike, por edhe elektorale, mbetet një normalitet, mbetet një ngjarje e cila ishte e pritshme, ashtu siç ishte e papritur për diferencën prej 19 votave me të cilën u prodhua fitorja e Belerit vitin e shkuar. Natyrisht që rikthimi majtas i Himarës, në kushtet kur opozita e braktisi praktikisht fushatën, kur ajo e ka braktisur praktikisht përballjen me qeverinë, por thjesht merret me atë që bëjnë dy liderët historikë të saj, Berisha dhe Meta, në kushtet kur ajo, pra pasi e braktisi, e la në dorë të një partie inekzistente siç është PBDNJ dhe një politikani që kapet vetëm pas listave të partive të mëdha, siç është Vangjel Dule, i cili e çoi në ato ujëra që ai di ta çojë. E transformoi një betejë, në një garë elektorale, në një bashki modeste nga përmasat demografike, por me peshë në pikëpamje turistike dhe ekonomike, Vangjel Dule e ktheu në një përballje artificiale, diplomatike mes dy shtetesh.
U përjetua gara e Himarës jo thjesht si një garë elektorale për të marrë menaxhimin e një qyteti të përmasave të vogla në bregun e Jonit, por si si një ngjarje e cila lëvizi nga vendi të gjitha mediat kryesore të Athinës dhe krijoi pritshmëri, që realisht ajo nuk i ka. Siç e pamë, diferenca prej 1500 votash e Vangjel Tavos, shfryu gjithçka, sot të gjithë janë të qetë, askush nuk flet. Madje edhe ata që deri dje bërtisnin për 6 mijë votuesit, të cilëve iu ishte mohuar e drejta e votës për shkak të skadimit të kartave të identietit, sot e kanë braktisur këtë tezë dhe i janë dorëzuar shifrave”, theksoi ai./abcnews.al