Fitorja e Putin shoqërohet me polemika, parregullsi gjatë votimeve

schedule11:41 - 19 Mars, 2018

schedule 11:41 - 19 Mars, 2018

Vladimir Putin arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale në Rusi me 76% të votave, por fitorja e tij është shoqëruar me polemika. Vëzhguesit e pavarur dhe opozita kanë raportuar parregullsi në shumë qendra votimi, duke nisur nga mbushja e kutive e deri tek manipulimi i votës në këmbim të ushqimit.

Këto pamje filmike të kapura nga kamerat e sigurisë në qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale në Rusi tregojnë qartë se procesi nuk ishte i drejtë dhe i lirë plotësisht. Triumfi i Vladimir Putin për mandatin e tij 6-vjeçar në drejtim të Kremlinit, është shoqëruar me polemika të shumta.

Opozita e konsideron votimin të manipuluar dhe ka paralajmëruar me protesta të shumta. Gjatë ditës së zgjedhjeve, grupet e pavarura të monitorimit raportuan për qindra parregullsi që përfshijnë: gjetjen e fletëve të votimit brenda kutive përpara se të fillonin zgjedhjet; vëzhguesit janë ndaluar të hyjnë në disa qëndra votimit; disa persona janë përfshirë në dyshimet për votim të detyruar pasi janë dërguar me autobuzë në qendrat e votimi; kamerat e sigurisë janë penguar me tollumbace dhe objekte të tjera.

Në Dagestan, një zyrtar i komisionit zgjedhor tha se është penguar në punën e tij nga disa persona që bllokuan kutitë e votimit. Ndërsa në shumë zona të Rusisë është shpërndarë ushqim falas dhe ka pasur ulje në dyqane në afërsi të qëndrave të votimit. Kërkesa e tyre në këmbim ishte e thjeshtë: “Votoni për Putin”.

Por Ella Pamfilova, drejtoresha e Komisionit Qëndror Zgjedhor të Rusisë tha se nuk ka pasur shkelje serioze. “Ne kemi analizuar dhe monitoruar çdo gjë që kemi mundur. Falë Zotit çdo gjë është në rregull”, u shpreh ajo në një mbledhje të komisionit ku u diskutua për shkeljet e raportuara.

Ndërkohë, Putin arriti të fitojë këto zgjedhje me mbi 76% të votave. Ndjekësi më i afërt, kandidati i Partisë Komuniste, milioneri Pavel Grudinin, me 12% të preferencave. Duke folur në Moskë, Putin tha se votuesit kanë njohur arritjet e viteve të fundit. Gjithashtu presidenti rus qeshi me pyetjen nëse ka ndërmend të garojë përsëri për një madat tjetër 6-vjeçar. “Ajo çfarë po thoni ju është pak qesharake. Mendoni se unë do të qëndroj këtu deri sa të bëhem 100 vjeç? Jo!”, theksoi Putin./abcnews.al