Fitore për Ukrainën, disfatë për Rusinë: Gjashtë hapat për ta vendosur Putinin para përgjegjësive

schedule10:29 - 13 Prill, 2022

schedule 10:29 - 13 Prill, 2022

Nga Senatori Lindsey Graham “Fox News

Që kur nisi pushtimi i Ukrainës, Vladimir Putin dhe komandantët e tij kanë dështuar në fushatën e tyre për të shkatërruar me shpejtësi një vend demokratik. Për shkak të efektivitetit të ushtrisë ukrainase, trimërisë së popullit ukrainas, dhe udhëheqjes së fortë të presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe ekipit të tij, ne po hyjmë në javën e gjashtë të luftës, edhe pse shumë analistë dhe zyrtarë parashikuan se lufta do të përfundonte brenda disa ditësh.

Prandaj, është koha e duhur që bota të vlerësojë rezultatin që do të donim të arrinim në lidhje me konfliktin aktual. Me mbështetjen e duhur nga ana e demokracive anembanë botës, Vladimir Putin mund të pësojë një humbje të turpshme dhe mbresëlënëse.

Pas masakrës në Bucha, përgjigja nuk mund të ishte më e qartë. Unë dua të shoh fitoren e Ukrainës dhe humbjen e Rusisë së Putinit. E vetmja pyetje që sillet në kokën e njerëzve është se çfarë duhet për të arritur një humbje të tillë. Një strategji e qartë dhe e përmbledhur se si bota mund të sigurojë sovranitetin e Ukrainës dhe ta mbajë Putinin përgjegjës për krimet e tij në Ukrainë përfshin këto 6 hapa:

Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s

Në rast se Finlanda dhe Suedia hyjnë në NATO, ato do ta bëjnë aleancën akoma më të fortë. Anëtarët shtesë të aleancës do të zgjeronin më tej aftësitë ushtarake të NATO-s, duke krijuar një forcë më të fortë dhe më të plotë. Agresionit i Putinit ndaj Ukrainës, e ka bërë më se të qartë nevojën që anëtarët e NATO-s të përmbushin detyrimin e shpenzimeve në nivelin prej 2 për qind të PBB-së kombëtare për sektorin e mbrojtjes.

Rritja e ndjeshme e trupave të NATO-s në kufi me Rusinë e Putinit, do të dërgonte një mesazh të fortë dhe të qartë, se bota nuk do ta tolerojë pushtimin e tij të paprovokuar, dhe se bota liridashëse është e përgatitur të ndalë çdo agresion të mëtejshëm të Moskës.

Klientët evropianë të naftës dhe gazit duhet ta braktisin Putinin

Përpjekja e vendeve evropiane për të hequr dorë nga nafta dhe gazi rus duhet të përshpejtohet, dhe të përfshijë gjithashtu edhe angazhimin për të mos iu rikthyer më të në ardhmen. Putini duhet të shihet në skenën botërore si një lider i jashtëligjshëm dhe një kriminel lufte.

Kur të përfundojë ky konflikt dhe kur Putin të ketë më pak klientë evropianë për naftën dhe gazin e tij, kjo do t’i japë një goditje shkatërruese aftësisë e tij për të zhvilluar luftë. Edhe vendet e tjera jashtë Evropës duhet të paralajmërohen se do të kenë pasoja nëse vendosin të zëvendësojnë klientët që ka humbur Rusia në Evropë.

Llogaridhënie për krimet e luftës nga Putin dhe gjeneralët e tij

Duhet të ketë një përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur përgjegjës Putinin dhe gjeneralët që kryen sulmet ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas si kriminelë lufte që ata janë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe hetimet e tjera që lindin për barbarinë e tij.

Putini duhet të shihet si një i jashtëligjshëm dhe kriminel lufte në skenën botërore.

Qasja “fal dhe harro” ndaj Putinit dhe krimeve të tij të luftës, vetëm do të krijonte terrenin për agresione të mëtejshme në të ardhmen. Nëse Putin humb në këtë konflikt dhe lihet i izoluar në skenën globale, atëherë ukrainasit trima nuk do të kenë vdekur më kot.

Vazhdimi i sanksioneve që ndëshkojnë regjimin e Putinit për pushtimin e Ukrainës

Sanksionet ekonomike duhet të mbeten në fuqi, për aq kohë sa Putini dhe miqtë e tij mbajnë të pushtuar qoftë edhe një centimetër katror të territorit ukrainas. Po ashtu ne duhet të ruajmë një angazhim të fortë dhe të qartë për të mbajtur në fuqi sanksionet e forta, duke mos pasur asnjë lëkundje për këtë qasje.

Mbështetje shtesë me armë për Ukrainën

Një humbje për Putinin është e mundur nëse bota liridashëse jep gjithçka për arritjen e fitores. Dhe me gjithçka unë nënkuptoj ndihmën ndaj Forcave të Armatosura të Ukrainës me armë shtesë vdekjeprurëse, si për shembull dronët më të mëdhenj “Switchblade”, avionë luftarakë, sisteme më të sofistikuara të mbrojtjes raketore dhe tanke për të përshkallëzuar luftën ndaj Putinit.

Ushtria ukrainase e ka treguar veten se është një armik i frikshëm në fushën e betejës, ndaj duhet të ketë aftësinë e vazhdueshme për të mbrojtur veten në të ardhmen. Sa më shumë dëme që mund t’i shkaktojë pushtuesit, aq më shpejt ky konflikt do të përfundojë me kushte të favorshme për Kievin.

Ndihma me armë më të fuqishme është jetike për vazhdimin e luftës. Ukrainasit janë të përkushtuar për fitore në fushën e betejës. Po kështu duhet të jenë edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Administrata e Joe Biden dhe bota perëndimore, nuk duhet ta lejojnë Putinin të diktojë se si ne e ndihmojmë Ukrainën në luftën e saj për liri.

Vazhdimi i udhëheqjes së Zelenskyy në Ukrainë

E fundit, por jo më pak e rëndësishme: një humbje shkatërruese për Putinin, do të ruante administratën e presidentit aktual ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Për të siguruar një Ukrainë sovrane, do të nevojiten garancitë e sigurisë nga vendet perëndimore si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vende të tjera.

Këto garanci duhet të sigurojnë që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, do t’i vijnë në ndihmë Ukrainës nëse do të ketë një pushtim në të ardhshmen. Është thelbësore që këto garanci të reja të sigurisë të jenë më të forta se sa Memorandumi i Budapestit, dhe të pasqyrojnë marrëveshjet e mbrojtjes reciproke që Shtetet e Bashkuara kanë me vende të tjera jashtë NATO-s si Koreja e Jugut, Australia dhe Japonia. Që kjo luftë të përfundojë në mënyrë të atillë që të shmangë luftërat e ardhshme, duhet të ndalet Putin, dhe duhet të mbetet ende në këmbë një Ukrainë demokratike.

Bota po sheh me vëmendje atë që po ndodh. Veprimet e forta që ndërmarrim sot, do të ndikojnë tek aktorët e këqij në të ardhmen, të cilët do të duhet të mendohen 2 herë përpara se të përfshihen në një konflikt. Nëse ne jemi të suksesshëm në Ukrainë, Kina do të ketë më pak gjasa ta pushtojë Tajvanin dhe Irani mund të ketë një pikëpamje të ndryshme mbi botën perëndimore.

Ky është një moment historik, në të cilin ne mund të përforcojmë të gjitha vlerat që janë me shumë rëndësi për njerëzit liridashës në mbarë botën. Mënyra më e mirë për të nderuar të vrarët në Ukrainë që kanë luftuar me trimëri për lirinë e tyre, dhe që kanë vdekur për shkak të kriminelëve të luftës, është që Ukraina të dalë me sukses nga kjo luftë.

Shënim:Republikani Lindsey Graham, përfaqëson Karolinën e Jugut në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!