Roma arriti të fitonte mbrëmjen e djeshme, me rezultatin minimal 1 me 0, ndeshjen e parë të gjysmë-finaleve, të UEFA Europa League, përballë “aspirinave” të Bayer Leverkusen, duke u afruar kështu akoma dhe më shumë me finalen e madhe të Budapestit.
Për mediat, pas ndeshjes disa fjalë i tha dhe njëri nga protagonistët e fitores së “verdhekuqve”, “bomberi” anglez, Tammy Abraham, i cili shpreson që në ndeshjen e kthimit në fushën e lojës të jetë dhe shoku i tij i ekipit, Paulo Dybala.
“Jemi të kënaqur me golin e Bove. E rëndësishme ishte të fitonim, ishte një ndeshje e vështirë, ne gjithashtu duhej të bënim “punën e pistë” përpara. Dybala? Ai është një lojtar cilësor, ai na sjell shumë, ta shohësh atë në fushë është gjithmonë e këndshme. Le të shpresojmë që ai të jetë gati për tjetrin, përndryshe do të kërkojmë fitoren e ekipit për të”,- u shpreh Abraham në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al