Nuk mund të kishte fillim më të mirë, në krye të “Dardanëve”. Tekniku, Franco Foda ka udhëhequr Kombëtaren e Kosovës drejt fitores së parë, nën “dirigjimin” e tij, me këta të fundit, që në “Vazgen Sargsyan Republican Stadium”, të Jerevanit mposhtën me rezultatin minimal, 0 me 1, përfaqësuesen e Armenisë.
Pas ndeshjes tepër i lumtur u duk të ishte edhe tekniku, Franco Foda, i cili fillimisht analizoi pjesën e parë, ku u shpreh se përveç golit kishin edhe raste të shumta shënimi, që nuk arritën të shfrytëzoheshin. Më tej në fjalët e tij, gjermani nxorri në pah edhe “problemin” e “Dardanëve”, që ishte mesfusha dhe konkretizimi i rasteve.
“Pjesa e parë kishte shumë raste. Edhe në të dytën kishim raste për të shënuar golin e dytë. Në fund patëm edhe pak fat. Gjithsesi ishte një paraqitje e kënaqshme për mua. Në ndërtimin e lojës duhet të përmirësohemi, gjithashtu në të gjitha repartet. Kundërshtari kishte shumë raste në kundërsulme. Problemi i vetëm ishte në mesfushë, edhe në konkretizimin e rasteve duhet të punojmë, sepse kishim shumë raste dhe nuk shënuam”,- u shpreh tekniku gjerman. /i.m /abcnews.al