Liverpool po realizon një sezon të çmendur në Premier Ligë. Ky ishte mendimi i trajnerit Jurgen Klop, pas fitores së radhës, që e ngjiti në krye të renditjes.
Nëse do të jenë në krye, në fund të sezonit, ky do të ishte titulli i vullnetit. Këto ishin fjalët e Jurgen Klopit për Liverpulin e tij, pas triumfit për infarkt ndaj Totenhemit. Vullneti i të kuqve u testua sërish deri në skaj në stadiumin Saint Mary të Sauthemptonit, ku sërish tregoi se ishte shumë i fortë, duke fituar 3-1 e duke u ngjitur sërish në vend të parë në Premier Ligë.
Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me anë të Shane Longut (goli i tij i 50-të në Premier), por Nabi Keita ia shpërbleu besimin Klopit duke barazuar në 36’. Pas pushimit, Liverpool rriti presionin, por mbrojtja e Southampton-it u mbajt fort.
Gjithsesi, asnjë ekip nuk ka shënuar e fituar më shumë në minutat e fundit sesa liverpulasit, që e bënë përsëri.
Në të 80-n, Mohamed Salah më në fund e shprehu gjithë klasin e tij me golin personal për 2-1, ndërsa në 86’ ishte kapiteni Jordan Henderson që fiksoi shifrat 3-1.
Liverpooli duhej ta tregonte veten në “Saint Mary”, ku Totenhemi e Arsenali humbën, Manchester United barazoi, por City fitoi. Ky duhej të ishte standardi dhe skuadra e Klopit ia doli.
Ish-mbrojtësi i Manchester United, Garry Neville, sot analist për Sky Sportin, e vlerësoi shumë skuadrën e kuqe.
“Këto janë ndeshje që japin goditje të forta psikologjike dhe lojtarët e City-t mund të mos jenë ndjerë mirë, – tha Neville, – ata mund të jenë habitur sesa shpesh i ndodh kjo Liverpoolit, pra që të fitojë në fund. Ndodhi ndaj Tottenhamit, ja edhe tani kundër Sauthemptonit. Liverpooli ka sot një shans më të madhe se më parë për të dalë kampion, por gara vazhdon”.
Mohamed Salah tregoi se përse trajneri nuk e heq nga fusha, edhe pse ai kishte 8 ndeshje pa shënuar, duke realizuar një rrjetë të madhe dhe vendimtare.
“Kjo është një garë e çmendur, – ishte mendimi i Klopit, – ne kemi 82 pikë dhe kjo është një gjë e madhe në një ligë kaq të çmendur sa kjo. Jam vërtet krenar për lojtarët e mi, është e pabesueshme. Nuk ishte e lehtë, por goli i Mo Salahut ishte thjesht i klasit botëror. Unë nuk kam dyshuar kurrë tek ai”.
Liverpooli ka 82 pikë ndaj 80 të Manchester City-t që ka luajtur një ndeshje më pak./abcnews.al