Fitoi me manita ndaj Plzen, Xavi: Dembele një ndër të më mirët, Leva është krenari

schedule10:45 - 8 Shtator, 2022

schedule 10:45 - 8 Shtator, 2022

Barcelona e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në fazën e grupeve të Champions League. Katalanasit arritën të fitonin me manita ndaj Plzen. 5-1 për të besuarit e Xavi Hernandez, me Lewandowskin që shënon tripletë, ndërsa Torres dhe Kessie vulosën suksesin.

Pas ndeshjes tekniku i Barçës është shprehur shumë i lumtur për lojën e zhvilluar nga të tijtë, ndërsa nuk harron të vlerësojë maksimalisht Ousman Dembele i cili vazhdon të shkëlqejë me gola e asiste.

“Dembele është i lumtur, po dëfrehet, kjo është e rëndësishme për mua, për grupin. Ai bën diferencën, asiston, shënon, është në një moment të mirë.

Nuk dua ta ekzagjeroj, por aftësia që ka situata një me një është në nivelin e Neymarit më të mirë. Ai duhet të guxojë më shumë për të gjuajtur në portë dhe për të shënuar. Është një djalë i mirë dhe duhet të përfitojë nga këto karakteristika. Dembele është këtu për të bërë diferencën dhe ai po e bën atë”, deklaroi Xavi.

Lëvdatat për bomberin Robert Lewandowski nuk janë të mjaftueshme, pasi sipas Xavit sulmuesi polak është thjeshtë i pangopur dhe të gjithë janë krenar që ai mban veshur fanellën e katalansve.

“Lewandowski është i tillë, është i pangopur. Mënyra si stërvitet, si e përmirëson ekipin, si e ndihmon me përulësi.

Për të po më mbarojnë lëvdatat, sepse nuk është vetëm tregolëshi që realizoi por mënyra si ai funksionon, si di ta zotërojë tempin e ndeshjes. Përveçse bën diferencën me gola, na jep shumë zgjidhje në sulm.

Nëse nuk është më i miri, është mes dy më të mirëve. Është Benzema, është Haaland, por dashur të bëj krahasime, është në një nivel që është spektakël, krenari”, ka përfunduar tekniku spanjoll.

Ndeshjen e radhës Barcelona e zhvillon në transfertën e Bayern Munich në “Allianz Arena”, ku dy skuadrat do të luftojnë për kreun e Grupit C. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!