Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një lidhje live për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në ABC News përcolli një mesazh me rastin e Fiter Bajramit. Kryebashkiaku foli për organizimet e bashkisë ndërsa përmendi gjithashtu edhe se tre parkingje do të jenë falas nesër për besimtarët.
Duke filluar nga orët e para të mëngjesit, parkimi do të jetë falas në këto zona në mënyrë që besimtarët të kryejnë faljen pa asnjë pengesë: Parkimi te “7 Xhuxhat”, te Sheshi “Skënderbej” si edhe te Bulevardin e Ri.
“Është një muaj që besimtarët kanë sakrifikuar. Kemi nevojë për të qenë më shumë bashkë. Të duhemi dhe më pak të debatojmë. Siç thoshte edhe Fishta ‘Ne kemi Bajram dhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë’. Unë besoj që një vend që zbukurohet duhet të zbukurohet për Krishtlindje duhet të zbukurohet edhe për Bajram. Ndaj më vjen mirë që Tirana ka hapësirë për të gjithë.
Duke qenë se koha është e mirë, parashikojmë që gjithë sheshi Skënderbej do të përdoret cep më cep. Duke filluar nga orët e para të mëngjesit, të gjitha parkingjet do të jenë falas për t’u përdorur nga besimtarët që do të thotë parkimi i madh në shesh, parkimi në fund të bulevardit ‘Zogu i Parë’ dhe ai tek ‘7 Xhuxhat’. Besoj se secili duhet të ketë lehtësira që lidhen me faljen e madhe në shesh.”, tha Veliaj.