Firmoset në Prespë marrëveshja historikë mes Maqedonisë dhe Greqisë

schedule10:58 - 17 Qershor, 2018

schedule 10:58 - 17 Qershor, 2018

Në ceremoninë e zhvilluar në Prespë, delegacioni i qeverisë së Athinës dhe ai i Shkupi nënshkruan marrëveshjen historike për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Në këtë mënyrë është zgjidhur kontesti 25 vjeçar për emrin. Marrëveshja është firmosur nga dy ministrat e jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias si dhe nga ndërmjetësuesi Matthew Nimetz.

Përpara firmosjes dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras mbajtën një fjalim. “Duam të bëjmë një hap për të harruar plagët e të kaluarës, jo vetëm për vendet tona por edhe për Evropës për të shkuar përpara për një ardhmëri më të mirë. Kjo do vë themelet e një epoke të re. Unë me Zaevin vendosëm të tejkalojmë vështirësitë. Dua të falënderoj OKB dhe Nimicit që 25 vite përpiqet të zgjidh çështjen”, u shpreh Tsipras.

Ndërsa shefi i qeverisë së Shkupit theksoi se kjo marrëveshje hap një faqe të re për dy vendet dhe të ardhmen e tyre në Evropën e bashkuar. “Ndërtojmë partneritet me Greqinë, ata do të jenë përkrahës tanë për një rrugëtim më të mirë të vendit. Në rajon kemi një realitet të ri”, u shpreh Zaev. Ndërsa më tej shtoi se kjo marrëveshje largon dy vendet nga e kaluara dhe u mundëson që të ecin përpara.

Ndërmjetësi i OKB-së Methju Nimic në fjalën e tij tha se kjo marrëveshje i jep fund misionit të tij disa vjeçar, ndërsa theksoi se kjo është dhurata më e mirë e jetës së tij. Ai falenderoi palët për angazhimin në kurorëzimin e kësaj marrëveshjeje historike.

Ndërkohë, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes është bërë në pjesën Greke të Prespës. Të pranishëm në ceremoni mes shumë personalitetve ishin dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtëme, Federika Mogerini dhe Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Han./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!