Është firmosur në Berlin marrëveshja për koalicionin qeveritar që do të drejtohet nga Angela Merkel e cila lavdëroi palët për përpjekjen e tyre të suksesshme. Marrëveshja e koalicionit qeveritar është nënshkruar nga CDU, CSU dhe SPD.
Krerët e partive dhe të grupeve parlamentare të CDU dhe CSU dhe SPD nënshkruan në Berlin marrëveshjen prej 177 faqesh për programin e tyre të ardhshëm qeveritar. Në ceremoninë përkatëse në ndërtesën Paul-Löbe-Haus të Bundestagut kancelarja Angela Merkel u shpreh se marrëveshja e koalicionit i përgjigjet si duhet sfidave të kohës dhe ofron zgjidhje. Ajo shtoi se përpjekja për marrëveshjen dha frytet e saj, pasi u krye në frymën e respektit për njëri-tjetrin. Marrëveshja parashikon përmirësime konkrete për njerëzit dhe njëkohësisht mban parasysh të ardhmen, theksoi Merkel.
Ministri i emëruar i Financave dhe zëvendëskancelari, socialdemokrati Olaf Scholz theksoi se koalicioni i madh duhet të ketë parasysh shqetësimin për të mbajtur të bashkuar shoqërinë. Ai shtoi më tej se është një sinjal i mirë që politika ndaj Evropës luan një rol kaq të madh në marrëveshjen e koalicionit.
Për CSU-në, kryetari i partisë Horst Seehofer theksoi se marrëveshja e koalicionit ka në vëmendje njerëzit me pak të ardhura. Dokumenti ka përmbajtje të fortë, tha ai. Tani rëndësi ka që ai të zbatohet me frymën e duhur dhe me ritëm. Më parë kryetarët e partive patën theksuar se duan të përpiqen për një përafrim të kushteve të jetesës në Gjermani. Mirëqënia duhet të mbërrijë tek të gjithë njerëzit, shtoi Merkel.
Të mërkurën, në Bundestag do të votohet zgjedhja e Angela Merkelit si kancelare e Gjermanisë. Pas kësaj, pritet që qeveria e re të bëjë betimin./abcnews.al