Finlanda ka akuzuar Rusinë se po ndihmon emigrantët të hyjnë në vend ilegalisht, duke thënë se disa prej tyre janë ndihmuar nga rojet kufitare ruse. Zyrtarët finlandezë thonë se emigrantët arrijnë me makinë përpara se të kalojnë me biçikletë në grupe të vogla dhe më pas kërkojnë azil.
Finlanda ndan një kufi 1,340 kilometra me Rusinë, më i gjati në Evropë. Numri i kalimeve mbetet i vogël por ka ardhur në rritje këtë javë. Rojet kufitare thonë se kanë regjistruar rreth 60 kalime në 24 orë. Kjo krahasohet me 91 në katër muajt deri në 12 nëntor.
Matti Pitkaniitty, një kolonel në rojet kufitare finlandeze, i tha BBC se migrantët përfshinin shtetas të vendeve duke përfshirë Irakun, Jemenin dhe Sirinë, të cilët kishin mbërritur legalisht në Rusi, por nuk ishin të autorizuar të hynin në Finlandë, e cila është një vend anëtar i BE-së.
“Tradicionalisht, rojet ruse nuk i kanë lejuar njerëzit të mbërrijnë në kufirin finlandez pa dokumente të duhura,” tha ai duke shtuar se autoritetet ruse kishin ndryshuar politikën e tyre në muajt e fundit.
Shumë nga emigrantët po kalojnë në Finlandë me biçikletë, duke shfrytëzuar një marrëveshje që lejon kalimin me biçikletë përtej kufirit. Javën e kaluar Finlanda ndaloi kalimet me biçikletë. Pjesa më e madhe e aktivitetit është parë rreth pikave kufitare në Nuijamaa dhe Vaalimaa, në Finlandën juglindore./abcnews.al