Financimi i ndërmarrjeve sociale, Manastirliu: Kusht, punësimi i njerëzve në nevojë

schedule17:30 - 3 Maj, 2019

schedule 17:30 - 3 Maj, 2019

Me qëllim nxitjen e punësimit të grave, personave me aftësi të kufizuar apo ato që dalin nga skema e ndihmës ekonomike Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale ka shpallur aplikimet për krijimin e ndërmarrjeve sociale. Këto ndërmarrje do të mbështeten financiarisht nga buxheti i shtetit.

Ndërmarrjet sociale do të mbështeten financiarisht direkt nga buxheti i shtetit. Kushti është që 30% e stafit t’i përkasë grupeve në nevojë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e bëri të ditur gjatë shpalljes së aplikimeve.

“Sot jemi këtu me një buxhet të dedikuar që do të financohet menjëherë për ndërmarrjet sociale, për çdo subjekt të interesuar që aplikon pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Qeveria do të financojë 150 milion lekë/vit për mbështetjen e këtyre ndërmarrjeve”, tha ajo.

Këto ndërmarrje do të duhet të riinvestojnë të paktën 20% të të ardhurave nga veprimtaria e vitit të dytë dhe 30 % nga veprimtaria e vitit të tretë të punës së tyre për zgjerimin e aktivitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Banka Botërore ka konfirmuar se Shqipëria ka krijuar në vitin 2018 më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që u krijuan vjet në rajon dhe papunësia ka rënë 6%, por mbetet ende shumë për të bërë dhe gjenerimi i vendeve të punës mbetet sfida jonë më e madhe”, tha Manastirliu.

Ndërmarrjet Sociale do të jenë një mundësi më tepër për të riintegruar përmes punësimit shtresat në nevojë si; personat me aftësi të kufizuar, ata që dalin nga skema e ndihmës ekonomike apo persona në nevojë që janë të përjashtuar nga tregu i punës. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!