“Financat” tërhiqen nga bllokimi i llogarive bankare pas shqetësimit të biznesit

schedule17:33 - 26 Nëntor, 2020

schedule 17:33 - 26 Nëntor, 2020

Nga Erblina Mile

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është tërhequr nga vendimi i mëparshëm për bllokimin e llogarive të aksionerëve dhe administratorëve në rast se kompania është debitore. Me anë të një njoftimi ky institucion bën me dije se ka ndërhyrë në udhëzim dhe  ka shtuar në të faktin që bllokimi i llogarive të aksionerëve apo administratorëve mund të bëhet vetëm nëse ka një vendim të formës së prerë të gjykatës me anë të cilit vërtetohet  se kanë abuzuar me detyrën që kanë mbajtur.

Qëllimi i këtij paragrafi është që të vendosë rregulla sa më të qarta për administratën tatimore dhe subjektet, ku masa shtrënguese nëpërmjet bllokimit të llogarive të ortakut/aksionerit/administratorit, fillon vetëm pasi të jenë ezauruar të gjitha masat shtrënguese mbi personin juridik të parashikuara ligjërisht. Ky ndryshim ka ardhur pas shqetësimit të ngritur  nga grupet e interesit. 22 dhoma tregtie dhe shoqata të sipërmarrjes i dërguan një kërkesë të përbashkët Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të rishikuar këtë vendim.

Biznesi e  ka konsideruar të papranueshëm cënimin e llogarive personale të administratorit, ortakut dhe aksionarit të kompanisë lidhur me detyrimin tatimor të kompanisë pa patur një vendim të formës së prerë të gjykatës i cili ngarkon me përgjegjësi individuale për pagesën e detyrimeve tatimore. Komuniteti i biznesit në vend thekson se  harmonizimi i legjislacionit, zbatimi i drejtë i tij dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë ndër parimet kryesore që ndikojnë në përmirësimin e klimës së së të bërit biznes. Edhe pse ishte në fuqi për pak ditë ky udhëzim nisi të zbatohej në mënyrë abuzive në disa subjekte në vend të cilat përtej krizës si pasojë e pandemisë u përballën edhe me arbitraritetin e administratës tatimore./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!