Finalja e vogël e “Final Four”, Skënderbeu fiton ndaj Vllaznisë dhe renditet i treti në Superiore

schedule10:12 - 25 Maj, 2024

schedule 10:12 - 25 Maj, 2024

Skënderbeu është fitues i takimit për vendin e tretë të renditjes në Kategorinë Superiore, pas triumfit ndaj Vllaznisë në “Final Four”, megjithatë në Conference League do të shkojnë shkodranët.

Ekipi korçar bindi me rezultatin 3-2 në “Air Albania”, ndërsa diktoi ritmin gjatë gjithë takimit.

Ishte Nikaj ai i cili zhbllokoi takimin, me golin e shënuar në minutën e 11’ pas asistit të dhuruar nga Rashica, teksa vetëm pesë minuta më pas Dean Liço dyfishoi avantazhin e Skënderbeut.

Skënderbeu vazhdoi me sulmet dhe në minutën e 31’ ishte Rashica ai i cili shfrytëzoi një gabim të Vllaznisë dhe gjeti rrugën drejt rrjetës, duke shënuar golin e tretë për skuadrën e tij.

Pjesa e parë u mbyll me katër gola, pasi Vllaznia fitoi penallti pas një prekje të topit nga Prençi në zonë, penallti që u mor përsipër nga Esat Mala, i cili e finalizoi topi në fund të rrjetës, duke u dhënë shkodranëve pak shpresë.

Në ndryshim nga fraksioni hapës, pjesa e dytë ishte disi më e vaktë përsa u përket golave.

Ishin sërish korçarët ata që u shfaqën më të avancuar, me Gkertsos që provoi të shënonte me një goditje të fortë në minutën e 55’, por e dërgoi topin mbi traversë.

Ndërsa në minutën e 59’ Rashica dhe Nikaj realizuan një super kombinim, me këtë të fundit që e dërgoi topin në fundin e rrjetës, por u dyshua për pozicionin dhe pas verifikimit në VAR rezultoi i parregullt.

Kapiteni i shkodranëve fitoi një penallti në minutën e 80’ pas një ndërhyrjeje të gabuar nga ana e Ramos dhe e mori vetë përsipër ekzekutimin e saj duke shënuar golin e dytë për Vllazninë në minutën e 81’ dhe njëkohësisht duke rihapur sfidën.

Gëzimi i Vllaznisë zgjati pak, kjo për shkak se Stojanovic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli ndaj Rashicës dhe e la ekipin e tij me dhjetë lojtarë.

Pavarësisht se nga të dyja skuadrat u tentuan portat respektive në minutat e mbetura, ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2.

Kështu Skënderbeu fiton për prestigj në “Final Four” në ndeshjen për vendin e tretë të Kategorisë Super, por nuk mund të shkojë në Conference League, pasi ka dhe pak vite për të vuajtur dënimin e UEFA-s.

Ndërsa Vllaznia e mbyll sezonin në vend të katërt të renditje, por me shkodranët që do të shkojnë në Conference League./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!