“Finalja” e Shqipërisë/ Kuqezinjtë synojnë sukses me Ukrainën. Objektiv vendi i parë në grup

schedule12:39 - 19 Nëntor, 2024

schedule 12:39 - 19 Nëntor, 2024

Nuk vlejnë llogaritë, por ajo që do të bëjmë në fushë. E dinë këtë lojtarët e Kombëtares, e di edhe trajneri Silvinjo, ndërsa Shqipëria do të synojë fitoren dhe vendin e parë në grup në sfidën e sotme ndaj Ukrainës në “Arenën Kombëtare”.

Kjo, në atë që Silvinjo e quan si grupin më të ekuilibruar të gjithë Ligës së Kombeve. Pritet që braziliani të bëjë pak ndryshime në formacion, pavarësisht lodhjes ndaj Çekisë.

Vështirë të ketë lëvizje në portë e në mbrojtje, ndërsa dilemat e vetme lidhen me dëmtimin e Asanit dhe sulmuesin kryesor, Tuci. Ylli kuqezi që luan në Kore të Jugut vështirë të bëhet gati dhe alternativa më e përdorur nga Silvinjo është Seferi. Gjithsesi, ai ka në dispozicion edhe Muçin, Mujën apo Hoxhën, të cilët mund t’i ketë parasysh sidomos sepse kërkohet fitorja.

Nuk duhet harruar se kombëtarja, edhe pse fitoi 2-1 në Pragë ndaj Ukrainës, këtë rival nuk e ka mundur kurrë në Tiranë, ndonëse kjo mund të mbetet thjesht statistikë. Në total, kemi vetëm një fitore e një barazim në 7 përballje me ta.

Llogaritë janë që kuqezinjtë dalin të parët nëse fitojnë dhe ndeshja Çeki-Gjeorgji del barazim. Dalin të dytët nëse fitojnë dhe Çekia mund Gjeorgjinë, ndërsa nëse fiton edhe Shqipëria, edhe Gjeorgjia, dy ekipet do të jenë me pikë të barabarta në krye, por gjeorgjanët kanë golaverazh +2 ndaj -1 të ekipit tonë, si dhe kanë shënuar 6 gola ndaj vetëm 3 të Shqipërisë.

Me vendin e parë në grup, ngjitemi në Ligën A dhe shkojmë në plej of për të synuar finalet e Botërorit, ndërsa me vendin e dytë shkojmë në plej of për t’u ngjitur në Ligën A./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!