Antonio Conte ka analizuar në Gazzetta Dello Sport Italinë dhe Anglinë para finales së madhe të EURO 2020, që luhet të dielën prej orës 21:00. “Italia e meriton plotësisht të jetë në finale. Ata e provuan veten e tyre me çdo kundërshtar që u përballën, ishin në gjendje të kalonin situata të ndryshme, me edhe pa top. Gjithmonë u përpoqën të ruajnë idetë, identitetin dhe stilin e tyre, por ishin në gjendje edhe të përshtateshin me kundërshtarët që kishin përballë dhe të gjenin mënyrën për të marrë rezultat”.
“Për mua dominimi është krijimi i shanseve të rrezikshme për gol. Nisur nga kjo, dominimi i Spanjës me Italinë nuk ishte i qartë. Nëse kur mban topin nuk vertikalizon për të krijuar raste për gol ose për të sulmuar në krah, atëherë gjithçka bëhet kot. Mund ta mbash topin sa kohë dëshiron, por nëse nuk krijon raste, nuk duan dhe nuk shënon, atëherë nuk do të fitosh dot”.
“Italia është e vështirë të mposhtet, pasi kurrë nuk e gjen të papërgatitur. Ne nuk lëmë hapësira dhe detyrojmë gjithmonë kundërshtarin të bëjë veprime të komplikuara. Gjithashtu kemi një mur të formuar nga Donnarumma, Bonucci e Chiellini. Për mua Gigio është një nga tre portierët më të mirë në botë. Çfarë mund të themi për Bonucci e Chiellini? Edhe pas 1000 betejash ata ende mbajnë erë gjaku. Kanë mentalitet fituesi, karakter, forcë. Në momentet e vështira ata janë absolutisht lojtarët kryesorë”.
“Anglia? Ndryshe nga Spanja që e kalon topin prapa, Anglia gjithmonë përpiqet të godasë në situatat një kundër një. Vlerësim për Harry Kane, për aftësinë e tij për të marrë topin dhe për luajtur me ekipin, sicc ndodhi te goli i barazimit me Danimarkën. Ai është i zoti për këtë pjesë, por si trajner do ta mbaja në zonë, pasi është klinik aty. Anglia ka edhe dy mesfushorë shumë fizikë, si Rice dhe Phillips. Ata i sjellin ekuilibër skuadrës, por bëjnë shumë pak vertikalizime. Kryesisht zgjedhin të bëjnë pasime të thjeshta”.
“Një pikë e dobët për Anglinë është që nëse u bëhet presing në mbrojtje kur ndërtojnë nga prapa aksionet sulmuese, ata nuk janë aq të mirë sa Spanja për t’i shpëtuar presingut. Sidoqoftë, nëse jeni ultra-ofensiv dhe ata i shpëtojnë presingut, atëherë duhet pasur kujdes nga ritmi që kanë. Pikërisht kjo është pjesa ku Italia duhet të tregojë përvojën në leximin e momenteve të ndryshme të lojës”.
“Finalja e parë që pas Botërorit 1966? Mund të jetë një erë në velat e tyre, ose një spirancë e madhe që i rëndon ata. Ne do të kemi më pak tifozë në stadium, por më shumë përvojë se ata në fushë. Ne e dimë se çfarë do të thotë të luash finale, gjithashtu ne dimë edhe si fitohen ato”. /abcnews.al