Stadiumi “Air Albania” po bëhet gati të presë finalen e madhe dhe historike të UEFA Europa Conference League dhe në prag të përcaktimit të finalisteve mbrëmjen e sotme, Drejtuesi i Projektit të UECL, Kejdi Tomorri, në një intervistë për ABC ka folur rreth përgatitjeve që po bën FSHF dhe UEFA.
“Kemi disa deadline të ndryshme, kur duhet bërë çdo gjë sa i përket ndryshimit të stadiumit, si heqja e disa xhamave, disa ulëseve, bërja gati e tribunës për media si edhe disa punime të tjera, si shkallët ku mund të futesh nga tribuna në fushë. Të gjitha këto punime në stadium kapin vlerën e rreth 400.000 mijë eurove”.
Sa i përket tapetit të fushës së stadiumit “Air Albania”, Tomorri shprehet: “UEFA kërkon që fusha të jetë në nivelin maksimal. Pra një fushë me 5 yje. Kur UEFA nisi punimet për fushën, ajo ishte me 1 yll e gjysmë, ndërsa në momentin që flasim, fusha është me 4 yje e gjysmë ndërsa për finalen do të jetë pa diskutim një fushë me 5 yje”.
Gjithashtu, ai flet edhe për disa nga problemet që janë hasur për organizimin e finales në Shqipëri si dhe përfitimet financiare që do të sjellë kjo finale për Tiranën e vendin tonë. “Llogaritet që rreth 8 mijë persona do të kenë bileta nga klubet. Kjo shifër sipas ekspertëve të UEFA-s mund të jetë edhe 5-6 herë më e lartë.
Dy pikat më problematike kanë qenë aeroporti dhe transporti nga aeroporti në Tiranë. Aeroporti operon rreth 9 mijë persona në ditë normale, kur kapaciteti është pothuajse në limit. Nga ana tjetër, duhet t’i shtojmë edhe rreth 15 mijë persona të tjerë që mund të vijnë po atë ditë dhe do të hapen më tepër kanale sigurie, më tepër staf në punë atë ditë.
Problemi më i madh qëndron në kthim, sesa në ardhje. Por besoj se do ta menaxhojmë mirë. Përfitimi financiar? Vlera totale e qarkullimit të parasë në Shqipëri do të jetë rreth 140 milionë euro” – përfundon ai.