PSG luan nesër në mbrëmje sfidën e katërt të fazës së grupeve të Champions League. Nënkampionët e Evropës presin në shtëpi Leipzig, kundër të cilëve humbën 2-1 më 4 nëntor në përballjen e luajtur në Gjermani.
3 pikë numëron PSG në grupin H (United dhe Leipzig kanë nga 6 pikë) dhe fitorja është alternativa e vetme ndaj djemve të Nagelsmann. Thomas Tuchel ka folur në konferencën për shtypin rreth këtij takimi, që e cilëson finale.
“Është një finale për ne dhe duam ta fitojmë. Duhet të kemi më shumë guxim për të shënuar sesa frikë për të mos pësuar. Skema? Dy opsione, mund të luajmë me modulin 4-4-2 ose 4-3-3.
Kimpembe mungon, kështu që do të aktivizoj Marquinhos në mbrojtje. Pësuam një humbje të çuditshme në Monaco, por ndihemi mirë, ajo disfatë nuk ka ndikuar për keq te djemtë.
Humbëm prej fajit tonë, na ra përqendrimi në pjesën e dytë. E ardhmja ime? Po të kisha pasur garanci nga drejtuesit, do të isha më pak i qetë se sa më shihni tani.
Kur nuk shënon Mbappe ose Neymar, e gjithë skuadra e përjeton dhe preket, është normale. Shpresoj që Kylian të gjejë rrugën e rrjetës nesër, kemi nevojë për golat e tij.
Neymar? Nuk ndodhet në formën e tij më të mirë, por do ta nisë si titullar ndaj Leipzig. Kemi nevojë për të, na duhet ndihma e tij në fushë. Po flasim për një futbollist kyç të PSG-së“, përfundon Tuchel. /abcnews.al