Filmoi qytetarin kur kritikonte Klosin, 35-vjeçari: Po më kërcënojnë se e shpërndava videon

schedule14:50 - 5 Prill, 2021

schedule 14:50 - 5 Prill, 2021

Xhimi Gjishti është 35-vjeçari që filmoi “debatin” mes drejtuesit politik të PS-së në Berat, Blendi Klosi dhe një qytetari që tha me zë të lartë se qeveria tashmë duhet të hapë krahun.

Megjithatë, Gjishti thotë se pas publikimit të videos, ai është kërcënuar nga persona që e marrin në telefon  me numër privat. Për mikrofonin e ABC, 35-vjeçari thotë se i është kërkuar llogari se pse ka filmuar në takim, ndërsa shton se pamjet i filmoi dhe i postoi në mediat sociale “për qejfin e tij”.

“Unë e filmova për qejfin tim dhe e hodha ne një rrjet social.. Pastaj pas 2 orësh më morën në telefon me numër në privat. Më kanë fyer, dhe unë u kam thënë nqs je burrë më merr me numër. Pas dy orësh më morën prapë. Unë pastaj e fika telefonin…”

Xhimi Gjishti kërkon që ai dhe familja e tij të lihen të qetë.

“Unë s’e kam hedhur as për punë politike, unë jam një fshatar i thjeshtë, hallexhi, punoj për veten time.”

Ndërsa i pyetur nëse është përpjekur të bëjë denoncim, Gjishti tha se do mundohet t’ia dalë vetë me forcat e veta.

“Nuk dua ta bëj shumë legjendë të madhe nëpër shtet, thashë do t’ia dal me forcat e mia, nëse nuk mundem do bëj pastaj denoncimin.”

Kujtojmë se një incident ndodhi të dielën në takimin e zhvilluar nga Blendi Klosi me qytetarët në Urën Vajgurore në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një video të postuar në rrjet, e cila rezultoi se ishte filmuar nga 35-vjeçari Gjishti, ndërsa Klosi kërkonte mbështetje për mandatin e tretë, një qytetar dëgjohet të thotë se PS-ja nuk ka bërë asgjë dhe duhet të hapë krahun.

8 vite nuk keni bërë asgjë, lërja tjetrit, ju jeni të lodhur totalisht. Nuk jeni më për këtë punë, ka rini plot këtu.”

Klosi e menaxhoi me qetësi debatin, por në fund, teksa po u kërkonte qytetarëve që të shpërndaheshin me qetësi i kërkoi llogari 35-vjeçarit se përse e xhiroi të gjithë skenën. “Hë more ça xhiron një orë, kaq gjatë?!” i tha ministri socialist. sb/abcnews.al/