Një tjetër sukses i kinemasë shqiptare, filmi i regjisorit Rober Budina “Streha mes Reve”, me 28 nëntor do të ketë premierën botërore në Tallin Black Nights Film Festival ne Estoni. Regjisori në një intervistë për ABC News thotë se filmi është në stilin e realizmit magjik. Mesazhi kryesor që mbart “Streha mes reve”, është besimi në vete, në Zot dhe tek të tjerët.
“Streha mes Reve”, filmi i dytë me metrazh të gjatë i skenaristit dhe regjisorit shqiptar Robert Budina, pas filmit “Agon”, do të ketë premierën e tij botërore në Konkurrimin Zyrtar të Festivalit të Filmit Tallinn Black Nights në Estoni, regjisori nuk e fsheh kënaqësinë e këtij konkurimi.
Robert Budina, regjisor: “Sigurisht në këtë pikë ndihem shumë i lumtur sepse suksesi nuk është vetëm i imi, nuk ka si të jetë në qoftë se regjisori nuk gjen bashkëpunëtorët e duhur. Është një lajm shumë i mirë dhe për kinemanë shqiptare dhe për një arsye shumë të thjeshtëm që nuk jemi më kaq të panjohur që të huajt na zbulojnë film pas filmi. Që kur kanë filluar “Parrullat” e Gjergj Xhuvanit, përpara vazhdoi Mondi, vazhdoi Tan Minarolli, gjithmonë thonë, kinemaja shqiptare. Tashmë u bënë 2-3 filma rresht që kinemaja shqiptare është prezente dhe mendoj që ky është një lajm i mirë për të tjerët, sepse dhe pasardhësit tanë, të rinjtë që më filmat e parë do ta kenë më të thjeshtë për të pasur akses.”
Në rolin kryesor interpreton Arben Bajraktaraj, i cili ka një lidhje të fortë vertikale me Zotin dhe qëllimi i tij është që të shpërndajë mirësi edhe tek të tjerët, kjo është pak mision i pa mundur për të, shpjegon regjisori.
“Ky është një film i realizmit magjik ku zbërthehet e brendshmja, ku zbërthehen ëndërrat tona, ku zbërthehet ajo pjesë që nuk e tregojmë dot me fjalë dhe ishte një sfidë dhe unë doja ta bëja këtë. Jo thjesht për bashkësinë fetare sepse është vetëm sfondi, por trajtimi i personazhit kryesor që ka një traumë psikologjike dhe më është dashur të studioj dhe me psikiatër. Arben Bajraktaraj i cili ka luajtuar dhe tek “Harry Potter”, ka luajtur edhe tek “Taken”, është një figurë e njohur ndërkombëtarisht. Mdaje edhe festivali në paraqitje e ka shkruar këtë fakt që ai është një aktor dhe ka pritshmëri. Do me thënë është një personazh i cili bën gjithçka që të mbajë familjen të bashkuar, që të mbajë fshatin të bashkuar, që të bëjë gjithçka që të sjellë Zotin me njeriun por që dështon në këtë tentativë, që përpiqet shumë, që bën sakrifica të mëdha dhe në këto sakrifica ai gjen vetvetën.”
Megjithëse sfondi në dukje është fetar, gjithçka zbehet me vdekjen e kryefamiljarit, këtu lind konfliki mes pjestarëve.
“Ngjarja është shumë unike që i përket një realiteti shqiptar, por në mënyrën së si i qaset të tjerëve duke ruajtur origjinalitetin jep edhe një mesazh universal i cili është, si mund ta duam ne Zotin kur ne nuk duam njëri-tjetrin. Pra ve në balancë të gjithë besimtarët e Zotit të cilët nëse realisht do ta respektonin atë do të donin njëri-tjetrindhe bota do të ishte më e mirë. Ky mesazh i përket të gjithëve, jo vetëm pjesës së besimtarëve, por edhe pjesës tjetër që mendon ndryshe, por që përcjell këtë mesazh, për mendimin tim shumë njerëzor. Filmi ka një konflikt tronditës që është underground, janë marrëdhëniet që ndodhin në familje. Në një familje që ka besime të ndryshme fetare, që bashkëjetojnë shumë të lumtur me njëri-tjetrin deri ditën që babai vdes dhe duhet të leri trashëgiminë. Aty pastaj fillojnë këto probleme që ne na ndodhin në përditshmërinë tonë, që zbërthehet me pjesën shpirtërore.”
Filmi “Agon” i Robert Budinës pak vite më parë u përzgjodh të përfaqësojë vendin në Film Academy Award në 2014, ndërsa filmi i dytë i artistik “Streha mes Reve”, me 28 nëntor do të ketë premierën botërore në Konkurrimin Zyrtar të Festivalit të Filmit Tallinn Black Nights. Ky film është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Filmi do të ketë premierën në Shqipëri në datën 13 Dhjetor 2018./abcnews.al