Fillon të dëgjohet dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt në Hagë

schedule13:17 - 18 Tetor, 2021

schedule 13:17 - 18 Tetor, 2021

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Zenka Pumper është dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ajo është koordinatore e hetimit në këtë zyrë.

Pumper është shprehur se është pjesë e ZPS-së prej vitit 2016 dhe puna e saj është të intervistojë dëshmitarë, analizojë prova, të shkruar raporte dhe të përgatisë plane të punës.

“Kam qenë e përfshirë në një punë goxha të konsiderueshme lidhur me këtë çështje. Unë kam koordinuar kontrollin, kërkimin që ka ndodhur në OVL-UÇK dhe kam koordinuar kërkimin pra, kam përpunuar një pjesë të mirë të provave, kam raportuar kontrollin e kryer dhe kam rishikuar një pjesë të konsiderueshme të materialit, në veçanti ato materiale të cilat janë sekuestruar nga OVL-UÇK, të cilat përmenden në paketën 1,2 dhe 3 si dhe materialin i cili na është dorëzuar neve nga organi mediatik”, deklaroi ajo ndërsa i përgjigjej pyetjeve të prokurores Valeria Bolici.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith, ka pyetur Gucatin dhe Haradinajn nëse dëshirojnë të bëjnë ndonjë deklaratë por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë derisa Gucati ka deklaruar se do të deklarohet në një seancë tjetër.

Gjykimi po vazhdon me paraqitjen e disa dokumenteve si prova nga ana e prokurorisë por që të njëjtat nuk bëhen të ditura për publikun.

Ish-krerët e OVL-UCK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /abcnews.al/