Nis sot punën Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka caktuar në detyrë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 6 të Gjykatës së Apelit, gjyqtarë të posaçëm.
Selia e GJKKO është në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila prej ditës së sotme nuk do të jetë më funksionale.
Ndryshe nga prokurorët e SPAK të cilët u përzgjodhën duke kandiduar, gjyqtarët e GJKKO kanë dhënë pëlqimin, për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme.
Në apelin e Gjykatës së Posaçme me mandat të përhershëm do të jenë:
-Albana Boksi
-Nertina Kosova
-Dhimitër Lara
-Saida Dollani
-Sokol Binaj.
Duke qenë se kanë dhënë pëlqimin për të qene pjesë e GJKKO ata do të qëndrojnë në Apel duke ushtruar detyrën e tyre deri në daljen e tyre në pension.
Ndërsa për Gjykatën e Shkallës së Parë do të ketë një mandat të kufizuar dhe të përbërë nga 13 anëtarë, përkatësisht:
-Nure Dreni
-Daniela Shirka
-Etleva Deda
-Flora Haredinaj
-Irena Gjoka
-Marsela Balili
-Miliana Muca
-Ardit Mustafaj
-Bib Ndreca
-Fran Prendi
-Klodian Kurushi
-Sander Simoni
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR SHTYP
Me Vendimin Nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vendosur fillimi i funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 19.12.2019. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Selia e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 16 (gjashtëmbëdhjetë). Ky vendim i fillon efektet më datë 19.12.2019.
Gjithashtu me Vendimet Nr. 293 – 304 të datës 18.12.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vendosur caktimi në pozicion të përkohshëm të 12 gjyqtarëve në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në zbatim të këtij Vendimi, sot më datën 19.12.2019 filloi funksionimin Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Nga ana e institucionit tonë janë marrë të gjitha masat organizative për fillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe asaj administrative si Gjykatë e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si: përgatitja e vulës së institucionit, emërtesat, tabelat orientuese për publikun, regjistrat gjyqësorë dhe regjistrat e tjerë, fashikujt e kërkesave e të çështjeve penale, togat e gjyqtarëve, të sekretareve, veshjen unifomë të nëpunësve gjyqësorë, sistemi i sigurisë dhe i kamerave të vëzhgimit, serverat etj. Po vijojmë punën për përshtatjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve sipas kërkesave procedurale e penale të Gjykatës së re dhe së shpejti do dalim për median dhe publikun me faqen e re të internetit dhe logon e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Deri në daljen e kësaj faqeje, ju do të informoheni periodikisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Median dhe Publikun e Gjykatës.
Bashkëngjitur do të gjeni Vendimin Nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar’’ të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Duke Ju falënderuar,
Zyra e Marrëdhënieve me Median e Publikun
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, thuhet në njoftimin për shtyp të GJKKO./abcnews.al