Filipinet kanë miratuar vaksinat anti-Covid për fëmijët e moshës 12 vjeç, ndërsa vendi po përballet me rritje të rasteve për shkak të variantit Delta.
Vaksinimi i fëmijëve shihet si një hap kyç drejt rihapjes së shkollave në Filipine, i cili është një nga vendet e pakta në botë që ka mbyllur shkollat që nga fillimi i pandemisë. Qeveria gjithashtu njoftoi planet për rihapjen e 120 shkollave fillore dhe të mesme.
Fëmijët do të vaksinohen duke filluar nga muaji i ardhshëm, sipas zëdhënësit presidencial Harry Roque. Rregullatori i barnave në Filipine miratoi Pfizer dhe Moderna për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç, pas miratimit të vaksinës për fëmijët fillimisht nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Australia.
Organizata Botërore e Shëndetësisë është ende duke kryer prova mbi vaksinimet për fëmijët dhe ka rekomanduar që vetëm adoleshentët më të rrezikuar mund të vaksinohen me Pfizer. Edhe pse fëmijët konsiderohen më pak të rrezikuar nga simptomat e rënda të Covid, ekspertët janë të shqetësuar se varianti Delta mund të shkaktojë simptoma më të rënda.
Rreth 72% e popullsisë është vaksinuar kundër Covid.
Filipinet kanë regjistruar 2.5 milion raste dhe 37,000 viktima që nga fillimi i pandemisë./abcnews.al