Filigramistët dhe zanati që po zhduket/ Historia e tre punëtorëve nga Prizreni dhe dëshira për të trashëguar profesionin

schedule20:29 - 12 Tetor, 2024

schedule 20:29 - 12 Tetor, 2024

Prej 55 vitesh, në të njëjtën tavolinë pune e me të njëjtat mjete, duart e Fatime Barutit prodhojnë stoli e zbukurime të shumëllojta nga metalet e çmuara.

Punën si filigramiste në qytetin e artit dhe zejeve në Prizren, e ka nisur në vitin 1964, sapo kishte mbushur të tetëmbëdhjetat e që atëherë nuk është ndarë asnjë ditë edhe pse prej vitesh ka dalë në pension.

Është e vetmja filigramiste grua nga 24 që ishin dikur në punishte.

Të punosh filigramiste është një profesion sa i vështirë aq edhe I bukur. Është art më vete të stilosh e prodhosh modele pafund që kanë kërkesë tregu. Bashkë me Fatimen janë edhe dy kolegë të saj që rrëfejnë për punën e tyre në dekada.

Xhafer Lushaj, filigramisti tjetër në punishten e Prizrenit, thotë se dëshiron shumë që këtë zanat në zhdukje, t’ua trashëgojnë brezave.

Prej vitesh ndërmarrja e filigramit është kthyer në qendër të formimit profesional, me qëllimin e përcjelljes së kësaj tradite të hershme, por edhe të veçantë ndër breza. Madje pranë kesaj qendre kanë marrë profesionin edhe te rinj nga Pogradeci, Tirana, Kukësi e qytete të tjera

Pak kohë më parë përmes ish-ambasadorit të Shqiperisë në Kosovë Qemal Minxhozi pati edhe indicie që ky profesion të shtrihej edhe në shkollën profesionale të Kukësit , në të cilën do të jepnin mësime mjeshtrat e Prizrenit.

Mjeshtrave prizrenas u vjen keq për profesione të tilla që nuk rigjenerohen dhe shuhen dita-ditës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!