Realdo Fili ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me menaxherin Elton Marini dhe diçka të tillë e ka bërë publike përmes një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”. Sulmuesi anësor ka publikuar një foto me Marinin, si dhe një mesazh të shkurtër.
“Faleminderit për bashkëpunimin Elton Marini. Nga sot jam lojtar i lirë dhe i hapur për bashkëpunime të reja”, shkruan Fili, i cili pas një viti në Gjirokastër me Luftëtarin, me shumë mundësi do të angazhohet në ekip tjetër.
Këtë sezon ai është aktivizuar me bluzinjtë në 14 ndeshje dhe ka shënuar tre gola. Fieraku e nisi mirë kampionatin, por më pas pati probleme me klubin dhe u pezullua. Në fund u fal dhe u rikthye të luante. Tani pritet të mësohet e ardhmja e tij. /abcnews.al